Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar me medaljen “Nderi i Republikës” tre të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë: Vasfije Krasniqi-Goodman, Shyhrete Tahiri-Sylejmani dhe Ramadan Nishori.
Në ceremoninë solemne, Presidentja Osmani theksoi se këta emra do të mbeten përjetësisht të gdhendur në ndërgjegjen kolektive të popullit të Kosovës. Ajo u shpreh se të mbijetuarit e dhunës, përmes rrëfimeve dhe guximit të tyre, kanë ndriçuar rrugën drejt së vërtetës, drejtësisë dhe shpresës.
“Ju jeni zëri i së vërtetës që pret drejtësi me dekada. Ju ngritët zërin e mijëra të mbijetuarve të një krimi të llahtarshëm gjatë luftës,” deklaroi Osmani, duke shtuar se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa drejtësi për ata që kanë përjetuar dhunën më çnjerëzore.
Pas pranimit të medaljes, Ramadan Nishori falënderoi të gjithë ata që e mbështetën që nga dita kur vendosi të ndajë publikisht rrëfimin e tij. Ndërkohë, Vasfije Krasniqi-Goodman bëri thirrje për drejtësi, duke iu drejtuar të gjithë atyre që kanë përjetuar dhunë gjatë luftës:
“Ju lus që kudo që jeni, ka ardhur koha të kërkoni drejtësinë. Lirojeni shpirtin, të mos ia falni Serbisë krimin që e ka kryer,” u shpreh ajo.
Shyhrete Tahiri-Sylejmani falënderoi të gjithë për përkrahjen dhe solidaritetin e treguar ndaj tyre ndër vite.