Shkruan: Prof. Dr. Avni H. Alidemaj
Në çdo shoqëri të avancuar ekziston një ndërveprim dinamik midis vlerave shoqërore dhe normave të cilat shpesh përdoren si terma të ngjashëm, megjithatë, kanë karakteristika të veçanta.
Vlerat janë standarde morale që shërbejnë si parime udhëzuese në procesin e marrjes së vendimeve. Ato përfaqësojnë ideale që individët ose komunitetet synojnë të respektojnë, si drejtësia, ndershmëria, ose liria. Këto vlera shpesh formulohen në mënyrë pozitive (enumeracion pozitiv), duke përfaqësuar aspirata që njerëzit kërkojnë të arrijnë. Natyra e tyre abstrakte nënkupton që ato nuk janë të lidhura me veprime të veçanta, por më tepër tregojnë qëllime ose parime të përgjithshme. Kjo natyrë e hapurdhe subjektive u lejon vlerave të kenë shumë interpretime dhe aplikime, duke qenë se ato formohen nga bindjet personale ose konteksti kulturor. Njerëzit ose shoqëritë e ndryshme mund të prioritizojnë vlerat e ndryshme bazuar në përvojat, traditat dhe perspektivat e tyre. Rrjedhimisht, vlerat (përjashtimisht ato thelbësore) ndryshojnë nga një periudhë kohore në tjetrën dhe nga një gjeneratë në tjetrën.
Ndërsa, nga ana tjetër, normat, sidomos ato që rregullojnë sjelljen, janë më konkrete dhe specifike. Ato marrin formën e rregullave ose të udhëzimeve të qarta që përcaktojnë kufijtë e sjelljes. Normat shpesh janë të formuluara në mënyrë negative(enumeracion negativ), duke u treguar njerëzve çfarë nuk duhet të bëjnë (p.sh., “Mos gënje,” “Mos vidh”). Ky formulim kufizues ndihmon në përcaktimin e sjelljeve të papranueshme duke bërë që normat të jenë më të rrepta dhe më pak të hapura për interpretim sesa vlerat. Normat janë të krijuara për t’u zbatuar ndaj një grupi më të gjerë njerëzish në një mënyrë më uniforme, duke kërkuar përputhshmëri. Objektiviteti i tyre qëndron në fushën e tyre të përcaktuar qartë, që ofron më pak hapësirë për interpretim personal krahasuar me vlerat.
Fundja, marrëdhënia midis vlerave dhe normave është thelbësore për të kuptuar sjelljen etike dhe standardet ligjore. Vlerat ofrojnë bazën morale ose justifikimin përse disa sjellje janë të dëshirueshme ose të padëshiruara, ndërsa normat i përkthejnë këto vlera në rregulla specifike ose udhëzime që rregullojnë sjelljen. Kjo marrëdhënie është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e rregullave dhe të parimeve ligjore, ku normat (ligjet) bazohen në vlera themelore të një shoqërie përkatëse. Ligji përpiqet të standardizojë sjelljen në një mënyrë që reflekton vlerat e pranueshme brenda një shoqërie të dhënë.
Në vendet me demokraci të përparuar funksionale ky ekuilibër ndërmjet vlerave dhe normave është i vendosur mirë duke ifalënderuar sociologjisë të së drejtës, që ka shënuar zhvillim të fuqishëm në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ndërsa, në shoqëritë në tranzicion, si në rastin e Kosovës, kjo disiplinë juridike është në fazën e hershme të zhvillimit duke bërë që të kemi s’përputhje të madhe ndërmjet vlerave shoqërore dhe normave ligjore. Rrjedhimisht, zbatimi i ligjit dhe konformizmi është larg prej nivelit të dëshiruar.
Të kuptuarit e mënyrës sesi këto dy elemente ndërveprojnë ndihmon në funksionimin e sistemit juridik dhe kuadrove etike, të cilat mbështeten në këtë ekuilibër për të siguruar drejtësi, llogaridhënie dhe barazi në shoqëri.