Ish-lojtari i Manchester United dhe analisti sportiv, Gary Neville, ka komentuar zhvillimet më të fundit në Premier League dhe garën për titull, duke vënë theksin te paraqitja surprizë e Liverpoolit këtë sezon.
Neville tha se askush nuk e kishte parashikuar që Liverpooli do të ishte në garë për titull, madje as vetë tifozët e klubit.
“Të Kuqtë” janë vetëm një fitore larg titullit të 20-të në Premier League, të cilin mund ta sigurojnë që nesër, nëse mposhtin Tottenhamin. Ndeshja pritet të fillojë në orën 17:30.
Nëse Liverpooli ia del, trajneri i ri Arne Slot do të shkruajë histori, duke arritur një sukses që shumë trajnerë para tij nuk e kanë realizuar në sezonin debutues – rikthimin e titullit në “Anfield”.
“Mendoj se po bën një punë të shkëlqyer, sinqerisht. Në fillim të sezonit, mezi kishte njerëz, madje edhe mes tifozëve të Liverpoolit, që besonin te titulli. Asnjëri nga ne, analistët apo ekspertët, nuk e përmendte Liverpoolin si kandidat për kampion,” u shpreh Neville në podcastin e tij.
“Të gjithë prisnin një garë mes Manchester Cityt dhe Arsenalit, ndaj ajo që ka bërë Liverpooli është vërtet e jashtëzakonshme. I shihja në vendin e pestë. Me largimin e Klopp, prisja një rënie të natyrshme, siç ndodhi me Arsenalin pas Wengerit, apo me Unitedin pas Fergusonit,” shtoi ai.
Sipas Neville, pikërisht kjo e bën edhe më domethënës suksesin potencial të trajnerit holandez Arne Slot në krye të Liverpoolit.