Kryetari i Forumit Intelektual “Europa 30”, Artan Nimani, së bashku me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, morën pjesë në promovimin e librit “Kauza për Familjen”. Vepra, e shkruar nga autorët Abdullah Klinaku dhe Rovena Tujani-Klinaku, vjen në një moment kritik për shoqërinë, duke trajtuar tema që lidhen me vlerat thelbësore të familjes shqiptare.
Në fjalën e tyre, Haradinaj dhe Nimani e cilësuan librin si një manifest për mbrojtjen dhe forcimin e familjes, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me Listën Konservatore dhe autorët e veprës. Ata vunë në dukje se krijimi i një Ministrie për Familjen dhe implementimi i “Pakos për Mirëqenien e Familjes” do të ofrojnë mbështetje të prekshme për çdo kategori shoqërore, duke përfshirë çiftet e reja, prindërit, të moshuarit dhe fëmijët.
Në një kontekst më të gjerë,Haradinaj dhe Nimani shtuan se sfidat aktuale kërkojnë veprime të guximshme, përfshirë anëtarësimin e drejtpërdrejtë të Kosovës në NATO përmes Planit Aksional, që do të sjellë përmirësime në sigurinë dhe ekonominë e vendit. Ky angazhim lidhet ngushtë me fuqizimin e familjes përmes politikave që garantojnë mbështetje financiare për familjet në nevojë dhe projekte që promovojnë rolin e gruas në shoqëri.
“Kauza për Familjen” shihet jo vetëm si një libër, por si një thirrje për bashkim dhe veprim për të mbrojtur institucionin bazë të shoqërisë – familjen.