Raporti për verifikimin e mandateve mori vetëm 52 vota në seancën e së martës, me 47 deputetë të VV-së që ishin pro, 3 të Nismës dhe 2 të komuniteteve joshumicë.
Fatmir Limaj i doli në krah VV-së, ndonëse partitë e tjera shqiptare ishin kundër. Megjithatë, raporti për verifikimin e mandateve nuk kaloi deri të shtunën, kur të gjitha partitë e votuan raportin në mënyrë unanime.
Sa i përket zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, këtu u shfaq një shkëputje nga ana e Nismës, e cila nuk votoi për kandidaturën e Albulena Haxhiun për kryeparlamentare.
Në votimin e së shtunës, Haxhiu mori gjithsej 57 vota nga 48 deputetë të VV-së dhe 9 të pakicave etnike. NISMA me 3 deputetët e saj abstenoi.
Sidoqoftë, edhe po të votonte për, prapëseprapë koalicioni VV-NISMA-deputetët joshumicë do të shkonin në 60 vota, një më pak sesa nevojitet për formimin e institucioneve.
Me refuzimin e Duda Baljes që të bëhet pjesë e qeverisë së Albin Kurtit, VV-së i ngushtohet tej mase hapësira për manovrim. Nga deputetët e pakicave që s’vijnë prej Listës Serbe, 9 kanë votuar pro Haxhiut, ndërsa Adem Hodza dhe Duda Balje nuk duket se kanë votë për VV-në.
Pra, VV bashkë me Nismën dhe 9 deputetët joshumicë shkojnë veç në 60 vota, duke mos arritur kështu numrin e nevojshëm prej 61 deputetëve për të formuar qeverinë dhe paraprakisht për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit./gazetametro.net