Një burrë si burrë!
Këtu nisin të të plagosin që nga lindja, e plumbin final ta jep një kafshë që e kanë rritur për të qenë “burrë” i fortë.
I dua shumë fëmijët, kam një simpati të veçantë për foshnjat vajza. Gjithmonë kur shoh një foshnjë vajzë, më përshkon një dhembshuri e një frikë e tmerrshme. Më shkon menjëherë mendja te vuajtjet që do ta ndjekin në jetë. A thua, kush do t’ia shkaktojë plagën e parë? Babai apo vëllai? Apo edhe nëna? Se në shoqërinë tonë edhe nënat shkaktojnë plagë, edhe ato nëna që rrisin djem “burra” e vajza të nënshtruara.
E mendoj sa herë shoh vajza të vogla; kush nga ata që kjo vajzë do t’i shoh si familje do t’ia japë plagën e parë? Ajo plagë që do ta bëjë të ndjejë se nuk përket askund, që do ta shtyjë të ikë, për të përfunduar në të njëjtën mendësi, vetëm me një mbiemër tjetër.
Është një fjalë që thotë: Shtëpia ku lind është fati yt. Fati i vajzave në Kosovë duket se është veç të marrin frymë aq sa duhet për të shërbyer, derisa një ditë, një burrë – që do të mbajë mbiemër tjetër – të vendosë t’ia marrë edhe atë.
Nëse nuk është babai e vëllai, është bashkëshorti. Nëse nuk është bashkëshorti, është një burrë tjetër. Ama në këtë shoqëri, gjithmonë do të të vrasë një burrë – një burrë i rritur nga një nënë që e kanë detyruar të rrisë “një burrë si burrë”.
Këtu nisin të të plagosin që nga lindja, e plumbin final ta jep një kafshë që e kanë rritur për të qenë burrë i fortë.
Por deri kur?
Deri kur do të vazhdojmë të arsyetojmë plagët nga babai, vëllai, familja, burrat? Deri kur do të heshtim, duke i quajtur “zakone”, “traditë”, “fat”?
Deri kur do të mbajmë gjallë një shoqëri që ushqen vrasës dhe nënshtron viktima?
Shoqëria jonë ka nevojë për ndryshim. Por ndryshimi nuk vjen nga burrat që vrasin. As nga nënat që heshtin. Ndryshimi vjen kur ne, të gjithë, nuk i rrisim më djemtë si vrasës dhe vajzat si viktima.
Ndryshimi vjen kur një burrë nuk matet me sa frikë mund të mbjellë, por me sa dashuri mund të japë.
Sepse burrëria nuk është forcë, as dhunë, as frikë. Burrëria është të shërosh plagë, jo t’i shkaktosh ato.
Nëse bëhemi bashkë e themi stop, e sjellim edhe këtë ditë. Ditën ku s’do të jetë më frikë të lindësh vajzë…