Një delegacion nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, i përbërë nga Arbëreshë Kryeziu Hyseni, kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Xhavit Haliti, nënkryetar, si dhe Shqipe Mehmeti Selimi dhe Hisen Berisha, anëtarë të Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, po merr pjesë në Konferencën ndër-parlamentare për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) dhe Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP), e cila po zhvillon punimet nga 9-10 shtator 2024 në Budapest të Hungarisë.
Ky organizim bëhet në kuadër te Presidencës së radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian nga ana e Hungarisë.
Në sesionin e parë të Konferencës, në vazhdën e diskutimeve për temën “Evropa në të ardhmen dhe vendet që dëshirojnë të anëtarësohen në BE”, foli edhe Kryesuesja e Delegacionit të Kuvendit të Kosovës, Arbereshe Kryeziu Hyseni, e cila tha se Kosova ka pranuar marrëveshjen bazë të arritur në Ohër dhe planin e veprimit të arritur në Bruksel, dhe si të tillë është gati ta nënshkruajë dhe ta zbatojë plotësisht, por, siç tha ajo, të njejtën Serbia nuk e ka pranuar.
“Ata e shkelin atë, nuk duan ta nënshkruajnë dhe në dhjetorin e vitit të kaluar ata u tërhoqën prej saj. Në fakt ne nuk e kemi të qartë nëse ata ende mbeten në dialogun e lehtësuar nga BE-ja apo janë duke nënshkruar një marrëveshje të re për të përputhur politikën e jashtme me Rusinë”, theksoi Kryeziu Hyseni.
Ajo shtoi se udhëtimi i Kosovës nuk është pa sfida dhe se mosnjohja e pavarësisë sonë nga pesë shtete anëtare të BE-së paraqet një pengesë absolute. Pavarësisht kësaj ajo tha se Kosova mbetet e përkushtuar për ta zgjidhur këtë çështje nëpërmjet dialogut me Serbinë.
“Duke parë drejt së ardhmes, zgjerimi i BE-së nuk është vetëm për të sjellë vende të reja. Bëhet fjalë për të siguruar që Evropa të mbetet një shembull i stabilitetit, demokracisë dhe paqes në një botë gjithnjë e më të trazuar”, tha në fjalën e saj kryesuesja e delegacionit të Kosovës.
Edhe në sesionin e dytë, në të cilin u diskutua për ”Prioritetet dhe çështjet aktuale të Politikës së përbashkët të jashtme dhe sigurisë, si dhe politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes”, krahas folësve të tjerë, në emër të delegacionit foli edhe njëherë kryesuesja e delegacionit, Arbëreshë Kryeziu Hyseni.
Në adresimin e saj kryesuesja Kryeziu Hyseni kujtoi se më 24 të këtij muaji bëhet një vit që kur ndodhi sulmi terrorist në Banjskë, i organizuar nga Serbia. Në këta dymbëdhjetë muaj, shtoi ajo, Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të sjellë dëshmi që tregojnë fajësinë dhe se kush duhet të mbajë përgjegjësi për të. Ajo tha se ky sulm terrorist, që ndodhi në territorin e Kosovës, kërcënoi paqen dhe sigurinë tonë, por jo vetëm. Edhe tani, derisa ne po diskutojmë këtu, shtoi kryesuesja e delegacionit, Serbia është një kërcënim për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe për rrugën tonë drejt BE-së.
“Institucionet e sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim me NATO-n, janë të përkushtuara për të ruajtur paqen dhe sigurinë në vendin tonë. Ne kemi emrat e atyre që organizuan sulmin terrorist, për me tepër ish-nënkryetari i Listës Serbe, Radojçiq, pranon se është ai vet që e ka udhëhequr, por ai ndodhet në Serbi duke ecur lirshëm dhe duke jetuar në paqe, ndërsa Kosova kërkon ekstradimin e tij për ta sjellë para drejtësisë”, theksoi znj. Kryeziu Hyseni.
Ajo po ashtu shtoi se derisa Radojçiq ecën lirshëm në Serbi, kërcënimi dhe pasiguria janë ende të pranishme në vendin tonë, ngase, siç tha ajo, nuk ka siguri derisa kemi shtete që ofrojnë strehë për terroristët.
“Qëllimi ynë është të mbrojmë vendet tona dhe të përpiqemi të ulim tensionet që sjellin konflikte dhe pasiguri në BE. Andaj BE-ja duhet të jetë më e ashpër ndaj atyre vendeve që përpiqen të bëjnë të kundërtën dhe bëhen shkelës të paqes, stabilitetit dhe demokracisë”, tha kryesuesja e delegacionit, njëherësh kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu Hyseni.
Në ditën e dytë të konferencës është diskutuar lidhur me mbrojtjen e kufijve të jashtëm dhe migrimin ilegal, me ç’rast janë paraqitur sfidat e shteteve pjesëmarrëse në këtë fushë, si dhe nevoja e mbrojtjes së kufijve e parandalimi i emigrimit ilegal.
Ndërsa në sesionin e fundit, ku është diskutuar për ndryshimet gjeopolitike, strategjike në botë, nga ana e delegacionit të Kosovës, deputeti Hisen Berisha në fjalën e tij e konsideroi të rëndësishme që vendet që aspirojnë të jenë anëtare të Bashkimit Evropian, të përfshihen në kuadrin e kësaj strategjie, duke mbështetur përfshirjen edhe të Republikës së Kosovës në krijimin e kushteve për fillimin e zbatimit të saj si një anëtare e ardhshme brenda familjes së madhe evropiane.
“Strategjia juaj është e mirë, pasi përfshin ndryshimet në kontekstin e sigurisë brenda rajonit të Ballkanit, duke marrë parasysh masat për të luftuar ndërhyrjet hibride që Rusia synon në këtë zonë gjeografike. Kosova është e gatshme të zbatojë normat e kërkuara në këtë strategji, me synimin që gjatë periudhës 2025-2026 të kontribuojë gjithashtu në sigurinë kolektive të familjes së madhe evropiane. Republika e Kosovës është një shtet i pavarur dhe demokratik. Ne po ndërtojmë institucione dhe po zhvillojmë demokracinë ku çdo qytetar ndihet si në shtëpi, ashtu si duam të ndihemi edhe ne në familjen e madhe evropiane, pjesë e së cilës aspirojmë të bëhemi”, tha deputeti Berisha.
Në vazhdim të fjalës së tij ai tha se shteti i Kosovës përballet me destruktivitetin e Serbisë në politikë, ekonomi dhe siguri. Edhe pse disa deklarata të liderëve ndërkombëtarë e inkurajojnë Serbinë të vazhdojë me qëndrimet e pandryshuara ndaj Kosovës, shtoi ai, presioni politik dhe diplomatik po drejtohet më shumë ndaj Kosovës, duke e mbajtur atë në masa sanksionuese.
Ai tha se edhe pse populli i Kosovës ishte i pabarabartë në luftë, ai arriti të fitojë, liria dhe demokracia u bënë realitet, ndërsa liberalizimi i vizave për Kosovën i dha mundësi qytetarëve tanë të lëvizin lirshëm.
Një politikan nga Lituania theksoi se për të pasur paqe, nevojitet një ekuilibër i forcave. Sot, sipas tij, Serbia synon të shndërrohet në një hegjemoni në rajon. Ai tha se vetëm Serbia në rajon kultivon ambicie dhe kërcënon shtetet fqinj, duke diskriminuar pakicat kombëtare brenda juridiksionit të saj.
Në margjina të konferencës janë realizuar takime me disa nga pjesëmarrësit në Konferencë, si David McAllister, kryetar i Komisionit për punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, Zsolt Németh, kryetar i komisionit për Punë të Jashtme të Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, si dhe Baroneshën Catherine Ashton, anëtare e Dhomës së Lordëve në Britaninë e Madhe.
Në mbyllje të Konferencës, u theksua se masat preventive, paqja dhe siguria, bashkëpunimi, të drejtat e njeriut janë ato që duhet të udhëheqin BE-në dhe se BE-ja duhet të jetë e hapur për vendet që aspirojnë të jenë pjesë e saj.
Në këtë konferencë pjesëmarrës ishin shtetet anëtare te BE-së, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia. Hapja e Konferencës është bërë nga Jánosh Latorcai, zëvendëskryetar i Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, ndërsa ka pasuar edhe një adresim përmes videos nga Josep Borrel, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë.
Pas përfundimit të Konferencës, delegacioni nga Kuvendi vizitoi Ambasadën e Republikës së Kosovës në Hungari, ku u prit nga Ambasadori Delfin Pllana dhe stafi i Ambasadës.