Nje delegacion i Komisionit për Integrim Evropian, në përbërje Fjolla Ujkani – zëvendëskryetare e komisionit, Agon Batusha dhe Blerta Deliu-Kodra, anëtarë të komisionit, po merr pjesë në disa takime në Berlin në kuadër të Dimensionit Parliamentar të Procesit të Berlinit, me ftesën e Komisionit për Çështje të Bashkimit Evropian në Bundestagun Gjerman.
Këto takime janë zhvilluar ndërmjet deputetëve të Bundestagut dhe deputetëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pra të komisioneve parlamentare për integrim/çështje evropian të: Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Ndërsa temat kryesore të cilat kanë dominuar takimet në Bundestag kryesisht kanë të bëjnë me rolin e parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Procesin e Berlinit, të cilat tashmë janë pjesë e Dimensionit Parlamentar të Procesit të Berlinit, si dhe temat të cilat kanë të bëjnë me çështjet e Tregut të Përbashkët Rajonale dhe sfidat e Agjendësn së Gjelbër.
Kjo platformë ndërparlamentare është mbështetur nga një konzorcium i gjashtë organizatave të ndryshme të shoqërisë civile (me KDI nga Kosova), në një ombrellë të përbashkët të udhëhequr nga Instituti për Demokraci, Shoqëri Civile në Shkup (IDSCS).