Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Serbia ka eksportuar mallra prej 6.6 për qind në Kosovë, gjatë viti 2022. Për këtë biznesmen por edhe njohës të ekonomisë thonë se qytetarët kosovarë duhet të kthehen te konsumimi i produkteve vendore.
Raporti i fundit i Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregon se për nëntor importi nga Serbia në Kosovës është mbi 31 milionë euro, e që krahasuar me një vit më herët kjo ishte mbi 28 milionë euro.
Biznesmeni Burim Piraj thotë se që kur ka filluar lufta në Ukrainë, ka pasur ngritje të importit të prodhimeve serbe në vend. Përmes kampanjës “Besa Besë” kundër produkteve serbe në Kosovë, Piraj tha se kanë pasur ndikim të madh në vetëdijesim të qytetarëve.
“Tani këto ngjarjet që po ndodhin në veriun e Kosovës, kemi pasur një mbështetje shumë më të madhe për të mos blerë prodhime të Serbisë. Jemi duke u marrë edhe me aktivitete nëpër markete ku po i vetëdijesojmë qytetarët mos me ble prodhime të tilla. Gjithashtu nga Ministria e Tregtisë, po kërkojmë që akciza e vendosur në materiale ndërtimore si antidampingu të rikthehet e pse jo edhe taksa 100% derisa po vazhdojnë barrikadat në veri. Mendojmë se taksa 100% është metodë paqësore që të zmbrapsen grupet kriminale serbe të orkestruara nga Beogradi zyrtar”, tha Piraj.
E njohësi i Ekonomisë, Safet Gerxhaliu, tha se nga totali i importit të Kosovës qoftë në vitin 2021 apo 2022, 6% janë importe nga Serbia. Por prapë kjo është shifër e madhe që po e shqetëson opinionin. Ai tha se duhet të tregohet maturi në këtë drejtim.
“Duhet një maturi të tregohet pjekuri politike, ekonomike e diplomatike sepse, çdo luftë e hapur ekonomike do të jetë në konfrontim për Bashkimin Evropian, sepse në Serbi janë më shumë se 300 brende të ndryshme evropiane që prodhohen në Serbi dhe ai prodhim është i dedikuar për Ballkanin Perëndimor. Paramendoni nga ky 6% i importeve nga Serbia vetëm 2% janë prodhime të tyre të gjitha janë brende evropiane”, tha Gërxhaliu.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në muajin nëntor 2022 importet nga vendet e CEFTA-s, arritën në 86.4 milionë euro, ose 18.2% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 1.5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.6%), Maqedonia e Veriut (5.0%) dhe Shqipëria (4.7%).