Këshilli i Bashkësisë Islame në Bujanoc organizoi sonte iftarin tradicional, duke mbledhur së bashku përfaqësues nga të gjitha strukturat e komunës, përfshirë imamët e xhamive, teologët islamë, politikanët, drejtuesit institucionalë, gjykatësit, mjekët, drejtorët e shkollave, gazetarët lokalë dhe pjesëtarë të xhematit të xhamive të komunës së Bujanocit.
Ky organizim u pasurua me pjesëmarrjen e kryeimamit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, i cili ishte i pranishëm me bashkëpunëtorët e tij.
Pas përfundimit të iftarit, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Bujanocit, Sulejman Fejzullahu, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, duke theksuar rëndësinë e bashkimit dhe vlerave të këtij muaji të shenjtë. Ndërkohë, të pranishmëve iu drejtua edhe kryeimami i BIK-ut, Vedat ef. Sahiti, i cili dha një mesazh frymëzues për rëndësinë e solidaritetit dhe besimit.
Në këtë iftar morën pjesë edhe drejtues të Këshillit të Bashkësisë Islame nga Gjilani dhe Kamenica. Pas përfundimit të ngjarjes, hoxhallarët nga Kosova u shpërndanë nëpër xhamitë e Bujanocit për të udhëhequr namazin e teravisë dhe për të mbajtur ligjërata fetare.
Ky organizim tradicional dëshmoi edhe njëherë rëndësinë e unitetit dhe harmonisë brenda komunitetit, duke shërbyer si një moment reflektimi dhe afrimi mes të gjithë pjesëmarrësve./LUGINALAJMI/