Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) ka reaguar me ashpërsi ndaj një kërkese të bërë nga Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), të cilën e cilëson si një ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e profesionit të avokatit dhe një shkelje serioze të parimeve të shtetit të së drejtës.
Sipas OAK-së, qindra avokatë janë urdhëruar që, brenda një afati të shkurtër, të dorëzojnë të dhëna të ndjeshme, përfshirë informacione konfidenciale për klientët dhe bashkëpunimet e tyre financiare me sektorin publik dhe privat për periudhën 2019–2024.
“Kjo nuk është një kërkesë ligjore, por një gjueti shtrigash,” thuhet në reagimin e OAK-së, duke e cilësuar veprimin e ATK-së si “shkelje të rëndë të parimeve kushtetuese” dhe si precedent të rrezikshëm për lirinë dhe sigurinë juridike të profesionit të avokatit.
Organizata e avokatëve ngriti shqetësime të thella edhe për mungesën e sqarimeve rreth natyrës së procedurës së iniciuar nga ATK, duke theksuar se nuk ka asnjë vendim të qartë për hapje kontrolli, as definim të objektit të hetimit dhe as bazë të qartë ligjore.
“Avokatët nuk janë mbi ligjin dhe nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë vetëm siguri juridike, dinjitet dhe respekt për funksionin që mbajnë në mbrojtje të drejtësisë,” theksohet më tej në reagim.
Situata ka marrë përmasa edhe më serioze kur, sipas OAK-së, në listën e avokatëve të përfshirë në këtë kërkesë, figurojnë edhe emra të personave të ndjerë – një fakt që, siç thuhet në reagim, “e shpërfaq nivelin e papërgatitjes dhe mungesën e profesionalizmit në veprimin e ATK-së”.
OAK ka paralajmëruar se do të ndërmarrë hapa urgjentë institucionalë, duke u drejtuar te drejtori i ATK-së, ministri në detyrë i Financave, Kryeprokurori i Shtetit dhe autoritete të tjera përkatëse, për të kërkuar ndalimin e menjëhershëm të kësaj praktike.
“Ky është një sulm ndaj integritetit të profesionit, ndaj besimit të qytetarëve në drejtësi dhe ndaj konfidencialitetit avokat–klient,” përfundon reagimi.
Në këtë kontekst, Oda u ka bërë thirrje të gjithë avokatëve që të qëndrojnë të bashkuar dhe të vendosur, duke garantuar se do të jenë “zëri dhe mburoja e tyre përballë çdo përpjekjeje për intimidim institucional.”