Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë thirrje për përpjekje më të mëdha globale për të ndaluar përhapjen e fruthit, i cili tashmë është përhapur në 58 shtete, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, ku janë raportuar dy viktima fëmijë.
Gjatë një konference për media, Kate O’Brien, drejtoreshë e departamentit të vaksinave në OBSH, theksoi se vaksina kundër fruthit është shumë e sigurt dhe efektive, duke rikujtuar se fruthi është një nga viruset më ngjitëse që ekzistojnë.
Shpërthimi më i madh aktual ndodhet në Teksas, ku janë regjistruar qindra raste. Kritikët kanë vënë në pikëpyetje reagimin e Robert Kennedy Jr., sekretar amerikan i Shëndetësisë dhe skeptik i njohur i vaksinave, për mosveprim të mjaftueshëm në përballjen me krizën. Kennedy ka pranuar vetëm së fundmi efektivitetin e vaksinës.
O’Brien vuri në dukje se rënia e nivelit të vaksinimit, pjesërisht si pasojë e pengesave të shkaktuara nga pandemia e COVID-19, ka kontribuar në përhapjen e fruthit.
“Për aq kohë sa një shpërthim vazhdon, nuk mund të thuhet se po bëhet mjaftueshëm. Vetëm kur shpërthimi të përfundojë, atëherë mund të flasim për sukses”, theksoi ajo.