Në një njoftim zyrtar, Oda thekson se “Kosova ndodhet në një pikë kritike, ku nevojitet një strategji e guximshme, koherente dhe gjithëpërfshirëse ekonomike”, duke shtuar se vetëm përmes një vizioni të unifikuar mund të arrihet “rritje e qëndrueshme dhe qëndrueshmëri më e madhe ekonomike.”
Oda Amerikane kërkon miratimin e një Strategjie Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik, që do të përfshinte bashkëpunimin mes institucioneve publike, sektorit privat, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Kjo strategji, sipas Odës, duhet të adresojë çështje kyçe si promovimi i investimeve, zhvillimi i kapitalit njerëzor, digjitalizimi dhe modernizimi i infrastrukturës.
“Oda Amerikane inkurajon fuqishëm Kuvendin dhe Qeverinë e re që të miratojnë një Strategji Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik, e cila bashkon institucionet publike, sektorin privat, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë rreth objektivave të përbashkëta. Kjo strategji duhet të jetë gjithëpërfshirëse në fushëveprim, duke adresuar aspektet kyçe si promovimi i investimeve, diversifikimi i energjisë, zhvillimi i kapitalit njerëzor, rritja e eksportit dhe modernizimi i infrastrukturës, duke siguruar njëkohësisht parashikueshmërinë rregullative dhe fiskale. Vetëm përmes një vizioni të tillë të unifikuar Kosova mund të përparojë drejt rritjes së qëndrueshme dhe qëndrueshmërisë më të madhe ekonomike”, thuhet në njoftim.
Në njoftim theksohet rëndësia e forcimit të dialogut publiko-privat, që garanton se politikat ekonomike pasqyrojnë realisht nevojat e bizneseve dhe ndërtohen përmes konsultimeve gjithëpërfshirëse.
Gjithashtu, Oda bën thirrje për dizajnimin e mekanizmave të mbështetjes financiare për rritjen e eksporteve dhe avancimin e startup-eve. “Digjitalizimi i ndërmarrjeve private duhet të jetë prioritet në arritjen e një aftësie konkurruese afatgjatë”, thuhet në njoftim.
Një pjesë thelbësore e rekomandimeve është edhe domosdoshmëria për reformë fiskale dhe siguri juridike.
“Qeveria e re duhet të ketë prioritet krijimin e një mjedisi të drejtë, transparent dhe të parashikueshëm fiskal”, thekson Oda, duke shtuar se politikat tatimore duhet të “inkurajojnë formalizimin dhe stimulojnë inovacionin.”
Në fund, Oda Ekonomike Amerikane propozon krijimin e një Partneriteti Ekonomik Strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, si dhe thekson rolin e diasporës kosovare në zhvillimin ekonomik të vendit. “Diaspora e Kosovës posedon jo vetëm kapitalin financiar, por edhe ekspertizën e gjerë, rrjetet dhe qasjen në tregjet e ndryshme të botës.”
Po ashtu, është theksuar domosdoshmëria e reformimit dhe fuqizimit të agjencive që promovojnë eksportin dhe investimet në Kosovë, me qëllim që ato të veprojnë me “profesionalizëm, shpejtësi dhe qartësi strategjike.”