Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Kadri Bytyqi, ngriti shqetësime të forta lidhur me Ligjin për çmimin e barnave, duke theksuar se vendimet e shpeshta dhe të paqëndrueshme të Ministrisë së Shëndetësisë po shkaktojnë paqartësi dhe probleme serioze në tregun farmaceutik. Në një intervistë për Ekonomia Online, ai tha se ky ligj mund të çojë në krijimin e monopoleve dhe mungesë barnash esenciale për qytetarët.
Bytyqi kritikoi vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë për çmimet e barnave, duke e quajtur vendimmarrjen të paqëndrueshme dhe të izoluar nga konsultimi me Odën e Farmacistëve. Ai shtoi se Oda ka qenë dhe është për unifikimin e çmimeve, por ka ngritur shqetësime për disa pika të ligjit, të cilat i kanë konsideruar të dëmshme për tregun.
“Ne e kemi kundërshtuar vendimin apo pikën numër 6 të vendimit të asaj kohe, e cila i vështirësoi farmacistët dhe të gjithë akterët që duhej ta implementonin atë. Ky vendim ishte i kundërligjshëm, pasi ishte parashikuar që barnatoret të vendosnin çmimet në barna, ndërkohë që ky proces është kompetencë e Agjencisë së Kosovës për Pajisje të Produkteve, jo e farmacistit,” tha Bytyqi.
Ai gjithashtu theksoi se vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë janë shumë afatshkurtra dhe të paqëndrueshme, duke krijuar konfuzion në sektorin farmaceutik. “Kohët e fundit, kemi parë ndryshime të shpeshta në vendimet e ministrit, të cilat janë shpesh të shkurtëra dhe nuk mund të mbështetemi në to,” shtoi ai.
Një tjetër shqetësim që ngriti Bytyqi ishte rreziku i krijimit të monopoleve, që mund të sjellë kontroll të tregut nga një numër i vogël kompanish. “Ministria është tërësisht e mbyllur në raport me Odën. Ne nuk dimë me kë po konsultohet. Vendimet janë të pamatura dhe mund të kenë efekt negativ, duke forcuar dy apo tri kompani dhe duke krijuar oligarkë të rinj,” tha ai.
Sipas Bytyqit, zbatimi i Ligjit të ri ka filluar të shkaktojë mungesa të barnave esenciale në treg, një problem që po ndjehet gjithnjë e më shumë nga qytetarët.
Oda e Farmacistëve të Kosovës kërkon që të rishikohet ky ligj dhe të merren vendime të qëndrueshme dhe të konsultuara, për të siguruar që farmaceutika në Kosovë të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme dhe të drejtë për të gjithë.