Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka kërkuar pezullimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) lidhur me hapjen e tregut të energjisë dhe ka apeluar që Avokati i Popullit të drejtohet në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje.
Në një njoftim për media, OEK shprehet se ka kërkuar nga Avokati i Popullit që, duke u mbështetur në kompetencat e tij ligjore dhe kushtetuese, të inicijojë një procedurë në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin e vendimit të ZRrE-së për një periudhë prej të paktën një viti. Kjo kërkesë ka për qëllim mbrojtjen e interesave të bizneseve dhe parandalimin e rritjes së mundshme të çmimit të energjisë elektrike.
OEK nënvizon se një rritje e mundshme e çmimit të energjisë do të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e kostos së prodhimit dhe shërbimeve, duke përkeqësuar konkurrueshmërinë e bizneseve në tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm. Sipas OEK, kjo situatë do të ndikonte negativisht në standardin jetësor të qytetarëve.
Oda Ekonomike e Kosovës ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit ekonomik dhe mbështetjes së sektorit të biznesit për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen e ekonomisë kosovare.