https://cfwbs.org/vucics-offensive-on-kosovo/
Fjalimi që presidenti serb Aleksandar Vuçiq mbajti më 13 shtator ishte i ndryshëm nga fjalimet e tij të mëparshme. Kësaj radhe, lideri serb nuk i paralajmëroi qytetarët për afrimin e “kohëve të vështira” dhe as nuk u fokusua te “komplotet kundër Serbisë”. Në vend të këtyre, ai bëri një plan për të mbrojtur serbët dhe interesat e Serbisë në Kosovë.
Mesazhi kryesor i Vuçiqit është se BE-ja nuk është e përgatitur ta ndërmjetësojë konfliktin, kështu që Serbia do të përpiqet të bëjë diçka me “krahinën e saj jugore”.
Në fakt, zgjidhja e çështjes së Kosovës ka hyrë në një fazë të re, ose më mirë të themi, është kthyer në pozicionin e mëparshëm, duke ju afruar ballafaqimit me forcë.
Pesë hapa, shtatë pikë…
Plani i Vuçiqit përbëhet nga pesë hapa:
I. Kthimi i status quo ante (status quo ante bellum (lat.) – “gjendja që ekzistonte para luftës”).
II. Kosova është territor i mbrojtjes së veçantë sociale.
III. Stabiliteti i institucioneve serbe në Kosovë.
IV. Krijimi i një prokurorie speciale.
V. Vendimi për moslegjitimitetin e të gjitha organeve dhe institucioneve në territorin e Kosovës dhe Metohisë pas shpalljes së paligjshme të pavarësisë dhe pavlefshmërisë së të gjitha akteve që janë miratuar apo që do të miratohen prej tyre.
Hapi I, në terma të përgjithshëm, përfshin:
- Mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës me pjesëmarrjen e misionit të OSBE-së dhe nën kontrollin e BE-së;
- Kthimi i serbëve në stacionet policore në veri.
- Rivendosja në detyre e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë;
- Tërheqja e njësive speciale të policisë së Kosovës nga veriu.
- Formimi i menjëhershëm i Asociacionit të Komunave Serbe (ASM).
- Lirimi i të gjithë serbëve që janë arrestuar nga policia e Kosovës për pjesëmarrjen e tyre në protesta.
- Rifillimi i operacioneve normale në bankat dhe postat serbe në Kosovën e Veriut.
Hapi II: Kosova do të jetë zonë e mbrojtjes së veçantë sociale. Ky hap planifikon për pagesa shtesë dhe rritje të garancive sociale për serbët që jetojnë në Kosovë.
Hapi III: Stabiliteti i institucioneve serbe në Kosovë. Kjo përfshin vazhdimin e operacioneve normale të organeve administrative serbe që janë mbyllur nga Prishtina. Këto organe administrative do t’i vazhdojnë operacionet e tyre në Serbi, në dy qytete afër kufirit (administrativ) me Kosovën.
Hapi IV: Krijimi i një prokurorie speciale, e cila do të hetojë veprimet kriminale dhe të paligjshme të punonjësve dhe zyrtarëve të organeve të përkohshme në Prishtinë, që persekutojnë serbët.
Hapi V: Vendimi për mos legjitimitetin e të gjitha institucioneve në Kosovë, i krijuar pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë dhe pavlefshmërisë së të gjitha akteve që janë miratuar ose që do të miratohen prej tyre. Sipas Vuçiqit, një procedurë e ngjashme u zbatua pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur një ligj i ri shpalli të pavlefshme normat juridike të miratuara gjatë pushtimit të Jugosllavisë.
“Plani Vuçiq u miratua menjëherë nga qeveria serbe, pra zbatimi i tij tashmë ka filluar.
Një hap përpara, dy hapa prapa
Çfarë nënkuptojnë këto iniciativa?
Para së gjithash, na lihet të kuptojmë se Kosova janë pjesë integrale e Serbisë. Beogradi nuk do të bëjë kompromise në lidhje me statusin ndërkombëtar të Kosovës (edhe pse kjo u parashikua që në fillim të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja).
Serbia e shpall haptazi të paligjshëm pushtetin aktual në Prishtinë, organet dhe strukturat që ka krijuar, si dhe vendimet që ka marrë.
Në këtë fazë, qëllimi i Beogradit është që autoritetet serbe të rimarrin kontrollin e situatës në Kosovë në mënyrë që – siç shprehen ata – të mbrojnë popullin e tyre. Në Serbi, institucionet ndërkombëtare (perëndimore) dhe përfaqësimi i tyre në Kosovë – KFOR-i; NATO dhe EULEX-i – e kanë humbur besimin e serbëve për sa i përket çështjes së Kosovës. Vendimet dhe veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës, të cilat Beogradi i percepton si shtypje ndaj serbëve, citohen si arsyeja e mosbesimit (lëvizjet e fundit përfshijnë mbylljen e autoriteteve (“paralele”) serbe, zyrave postare dhe bankave, ndalimin e qarkullimit të dinarit dhe arrestimi i serbëve për akuza të ndryshme).
Agjenda minimale e Beogradit, ose qëllimi i ndërmjetëm, është rivendosja e sundimit de facto serb në veri të Kosovës, në katër komunat me popullsi kryesisht serbe – Mitrovicën e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potok. Asociacioni i Komunave Serbe (ASM), i cili sipas marrëveshjeve të Brukselit duhet të themelohet në pjesën veriore të Kosovës, mund të jetë mjet për arritjen e këtij qëllimi minimal, por vetëm nëse ASM formohet në përputhje me vizionin serb. Me fjalë të tjera, Beogradi dëshiron që Asociacioni i Komunave Serbe në veri të Kosovës të jetë i ngjashëm me Republikën Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë sesa me mekanizmat që i integruan serbët në Kroaci pas luftës.
Ky qëndrim është një hap prapa i dukshëm – dhe gjigant – në dialogun Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga BE-ja. Edhe pse Serbia nuk po tërhiqet zyrtarisht nga bisedimet, në kushtet aktuale, çdo perspektivë e mëtejshme e procesit të negociatave me pjesëmarrjen e ndërmjetësve nga Brukseli duket mjaft e pasigurt.
Qëndrim më i ashpër
Pozicioni i autoriteteve serbe mund të ishte edhe më i ashpër nëse Vuçiq do ta kishte shpallur Kosovën “territor të pushtuar”. Sipas mediave serbe, një hap i tillë ishte diskutuar seriozisht, madje kishte pritshmëri që presidenti serb të shpallte zyrtarisht “pushtimin e Kosovës” në fjalimin e tij të 13 shtatorit. Megjithatë, Vuçiq nuk e miratoi këtë ide. “Okupimi, apo pushtimi ushtarak, është i mundur vetëm në konfliktet e armatosura ndërkombëtare”, shpjegoi ai, duke u përballur menjëherë me kritikat nga politikanët radikalë dhe pro-rusë.
Një hap tjetër që Presidenti Vuçiq po pretendon të ndërmarrë është, me sa duket, refuzimi i ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe kalimi i çështjes së Kosovës në kompetencën ekskluzive të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, apo Grupit të Kontaktit, krijuar nga Këshilli i Sigurimit, i cili do të përfshijë anëtarë të përhershëm të KS të OKB-së.
Beogradi potencialisht mund të bie dakord me këtë, bazuar në disa argumente:
- Mungesa e rezultateve pozitive për serbët si rezultat i dialogut 11-vjeçar Beograd-Prishtinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja;
- Paragjykimet – nga këndvështrimi serb – i ndërmjetësve evropianë, pasi shumica absolute e shteteve anëtare të BE-së e njohin Kosovën si të pavarur, ndërsa BE-ja si institucion në një sërë drejtimesh ndërvepron me Kosovën si shtet i pavarur;dhe
- Më e rëndësishmja, prania e Kinës dhe Rusisë në Këshillin e Sigurimit. Këto dy vende historikisht kanë mbështetur qëndrimin e Beogradit për Kosovën, madje rusët ndonjëherë duken më radikalë se vetë serbët.
Me shumë mundësi, Moska do të mbështesë transferimin e çështjes së Kosovës nga BE-ja në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Me shumë gjasa, ata janë në procesin e kryerjes së këtij transferimi. Nuk është rastësi që politikanët serbë, të cilët janë mbështetës të vazhdueshëm të Rusisë, promovojnë në mënyrë më aktive ndryshimin e ndërmjetësit – nga BE-ja në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
“Kur ushtria të kthehet në Kosovë”
Përveç hapave radikale në fushën diplomatike, Beogradi mund të planifikojë të zgjerojë gamën e mjeteve për arritjen e qëllimit të tij në lidhje me Kosovën në fusha të tjera, specifikisht në fushën ushtarake.
Vitet e fundit, liderët serbë kanë treguar haptazi se nuk kanë frikë të përdorin kërcënime me anë të forcës ushtarake. Bëhet fjalë për rritje periodike të gatishmërisë luftarake të forcave të armatosura serbe “për shkak të situatës në Kosovë”, stërvitje ushtarake, grumbullim të trupave ushtarake pranë kufirit (administrativ) me Kosovën, apel për KFOR-in për mundësinë e kthimit të ushtrisë serbe në Kosovë, dhe një prirje e përgjithshme drejt militarizimit.
Është domethënëse që udhëheqja serbe po lidh kthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak me çështjen e Kosovës. Kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, duke komentuar për rekrutimin e ri dhe reagimin negativ ndaj kësaj nga ana e Prishtinës, tha si vijon: “Po të mos ishin përfshirë në terrorin kundër serbëve, shteti i Serbisë nuk do të duhej të ndërmerrte masa kaq të rënda”.
Kështu, nëse diplomacia nuk arrin të prodhojë rezultatet e dëshiruara për serbët, mund të presim një fuqizim të komponentit ushtarak të politikës serbe ndaj Kosovës, aq më tepër që Vuçiq në fjalimin e tij të 13 shtatorit tashmë shpalli një hap konkret për këtë qëllim – hartimin e një tjetër apeli ndaj KFOR-it për kthimin e trupave ushtarake serbe në Kosovë.
Ka mjaft përkrahës të zhvillimeve “në drejtim ushtarak” si në Serbi ashtu edhe më gjerë.
Këtë vit, në 25-vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi, në qendër të Beogradit, disa parti opozitare dhe lëvizja “Patrulla Popullore” organizuan një tubim ku njerëzit do të mbanin pankarta si “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, ” Lutuni Zotit dhe rrini pas Rusisë”, dhe flamuj me shkronjën Z, simbol i pushtimit rus të Ukrainës.
Gjithashtu, vitin e kaluar, janë parë grafiti të ndryshëm që lexonin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” në serbisht (“Kad se vojska na Kosova vrati”) në Serbi dhe në disa qytete ruse, përfshirë Moskën.
Për Rusinë, e cila, sipas zyrtarëve të saj, “kundërshton Perëndimin kolektiv në Ukrainë”, sigurisht që është e dobishme të ndezë konflikt në Ballkan. Prandaj, rusët, përmes satelitëve të tyre, me gjasë do të vazhdojnë të promovojnë skenarin e “zgjidhjes së çështjes së Kosovës” me dhunë. Dhe, siç tregoi plani i shpallur nga Vuçiq, Beogradi i dëgjon “këshillat” e Moskës.