Rrjetet e organizuara kriminale nga Azia, të specializuara në mashtrime përmes internetit, po zgjerojnë operacionet e tyre përtej kontinentit aziatik, duke depërtuar në Evropë, Afrikë, Amerikën e Jugut dhe madje edhe në ishujt e Paqësorit. Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka ngritur alarmin për rrezikun në rritje dhe ka kërkuar bashkëpunim ndërkombëtar për të frenuar këtë fenomen në rritje.
Sipas një raporti të fundit të Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC), këto rrjete kriminale, kryesisht kineze dhe nga Azia Juglindore, po përdorin mashtrime të sofistikuara duke joshur viktimat me premtime për fitime nga investime, kriptomonedha, romanca të rreme dhe metoda të tjera manipuluese.
“Ky lloj krimi po përhapet si kancer,” theksoi Benedikt Hofmann, përfaqësues rajonal i UNODC për Azinë Juglindore dhe Paqësorin. Ai tha se përkundër përpjekjeve të autoriteteve për t’i ndaluar këto aktivitete në një vend, grupet thjesht zhvendosin aktivitetet në një tjetër.
UNODC zbulon gjithashtu se këto banda operojnë përmes komplekseve të mëdha ku strehojnë dhjetëra mijëra punëtorë, shpesh viktima të trafikimit të qenieve njerëzore, të cilët detyrohen të kryejnë mashtrime ndaj qytetarëve nga e gjithë bota.
Në vitin 2023, vetëm në Azinë Lindore dhe Juglindore, vlera e mashtrimeve të kryera nga këto rrjete arriti në rreth 37 miliardë dollarë amerikanë, ndërsa në Shtetet e Bashkuara mbi 5.6 miliardë dollarë. OKB-ja paralajmëron se këto shifra mund të rriten nëse nuk merren masa të menjëhershme.
UNODC bën thirrje për një bashkëpunim ndërkombëtar të koordinuar, duke theksuar se situata ka arritur një “pikë kritike kthese”. Mosreagimi, sipas OKB-së, mund të sjellë pasoja të paparashikueshme për rajonin e Azisë Juglindore dhe për stabilitetin global.