Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se draft-statuti i Bashkimit Evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe nuk mund ta kalojë testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, pasi nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, vlerat dhe normat e BE-së, si dhe standardet e Këshillit të Evropës.
Në një takim me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, Osmani theksoi se bisedimet kishin karakter më shumë njoftues, ku palës kosovare iu prezantuan vërejtjet për draft-statutin. “Më shumë u njoftua rreth qëndrimeve tona sesa morëm qëndrime nga ana e tij,” tha Osmani, duke shtuar se diskutimet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Presidentja Osmani e bëri të qartë se draft-statuti aktual është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare. “Një draft-statuti i tillë, që bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, nuk mund të hyjë në fuqi dhe nuk besoj se do të kalonte testin në Gjykatën Kushtetuese,” shtoi ajo. Ajo përmendi se disa nga pikat kyçe të draft-statutit, si kompetencat ekzekutive të Asociacionit, janë në kundërshtim me standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese.
Duke folur për procesin e dialogut, Osmani kritikoi trajtimin e njëanshëm të procesit deri më tani, duke e cilësuar atë si një faktor që ka dëmtuar kredibilitetin e tij. “Ka qenë një proces i njëanshëm që e ka dëmtuar kredibilitetin e procesit. Tani, me lidershipin e ri të BE-së, shpresojmë që balanca dhe barazia të kthehen në tavolinë, sepse do të ndihmonte edhe procesin dhe do të sillte rezultate më pozitive,” përfundoi Osmani.