Në këtë takim, Osmani ka kërkuar mbështetjen e Francës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, shkruan Reporteri.net.
“Ajo theksoi se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është garanci për mbrojtjen e lirive themelore dhe për rritjen e standardeve demokratike në vend”, thuhet në njoftim.
Osmani ka folur edhe për procesin e dialogut e sigurinë.
“Duke folur për sfidat e sigurisë në rajon, Presidentja Osmani vuri theksin në tendencat e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim të Kosovës dhe të gjithë rajonit. Ajo theksoi se këto tendenca të Serbisë janë të qëllimshme dhe të koordinuara, duke përmendur sulmin e agresionit në Banjskë, sulmet dhe plagosjen e ushtarëve të KFOR-it nga bandat serbe, si dhe sulmet e vazhdueshme terroriste të dirigjuara dhe mbështetura nga Beogradi.
Në kontekstin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani potencoi mungesën e vullnetit të Serbisë për zbatim të marrëveshjeve të arritura, duke e konsideruar këtë si një pengesë serioze për përparimin e dialogut dhe për stabilitetin e qëndrueshëm në rajon”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Tutje, Osmani ka theksuar se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë në anën e vlerave euroatlantike dhe do të punojë me partnerët ndërkombëtarë për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e saj./Reporteri.net