Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se sapo të konstituohet Kuvendi, ajo do t’i propozojë legjislaturës së re një ligj për heqjen e tarifës së njëanshme të vendosur ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një intervistë për RTV21, Osmani tha se pret që Kuvendi të konstituohet nesër, më 15 prill, dhe se vendimi për largimin e tarifës është i domosdoshëm për forcimin e aleancës strategjike me SHBA-në.
Presidentja u shpreh e zhgënjyer me kundërshtimin e këtij propozimi nga Qeveria, duke e cilësuar si një dëm të madh për interesat e Kosovës:
“Kosova e pat një momentum të jashtëzakonshëm që ta fuqizonte aleancën me Amerikën… ishte me rëndësi të dalim të parët,” tha ajo, duke shtuar se komunikimin për këtë çështje e ka bërë “pas këshillave dhe konsultimeve me shumë miq dhe aleatë në SHBA.”
Ajo kritikoi ashpër qëndrimin e Qeverisë, të cilin e cilësoi si të ndikuar nga “mungesa e njohurive bazike për funksionimin e Kushtetutës dhe institucioneve”. Megjithatë, Osmani theksoi se Presidenca tashmë ka përgatitur draft-ligjin për heqjen e tarifës dhe ai do t’i dërgohet Kuvendit sapo ai të konstituohet.
“Nuk ka asnjë racionalitet që një shtet i lirë si Kosova, ku trupat amerikane ende mbrojnë kufijtë tanë, t’i vendosë 0 tarifa Serbisë dhe të vendosë tarifa për Amerikën,” u shpreh presidentja.
Duke komentuar pritjet për konstituimin e Kuvendit, Osmani tha se kjo varet nga partitë politike dhe angazhimi i deputetëve, por shprehu shpresë se 15 prilli do të jetë një ditë e suksesshme për Kosovën.
“Kosova ka shumë punë që duhet të kryhen urgjentisht dhe Kuvendi është i domosdoshëm për këtë,” përfundoi ajo.