Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë detaje nga pjesëmarrja e saj në Forumin Diplomatik që u mbajt në Antalya të Turqisë, ku zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të lartë shtetërorë nga vende të ndryshme.
Përveç takimeve me homologët e saj, Presidentja Osmani zhvilloi edhe takime të veçanta me ministrat e Jashtëm të disa shteteve afrikane dhe të Lindjes së Mesme. Ajo u takua me ministrin e Jashtëm të Sudanit, Ali Yousif Ahmed Al-Sharif; të Kenias, Musalia Mudavadi; të Jordanisë, Ayman Safadi; të Tanzanisë, Mahmoud Thabit Kombo; të Çadit, Abdoulaye Sabre Fadoul Cadi; si dhe të Nigerit, Bakary Yaou Sangaré.
Gjatë këtyre takimeve, u diskutua mundësia e thellimit të bashkëpunimit dypalësh, me fokus të veçantë në fusha strategjike që sjellin përfitime konkrete për qytetarët e vendeve përkatëse. Presidentja theksoi rëndësinë e diplomacisë aktive në ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe krijimin e aleancave të reja ndërkombëtare.
“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj një politike të jashtme aktive në shërbim të qytetarëve tanë,” deklaroi Osmani, duke nënvizuar rolin që mund të luajë diplomacia në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe në promovimin e bashkëpunimit global.