Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka pritur në takim delegacionin nga Garda Kombëtare e Ajovës (GKA) së SHBA-së që po qëndrojnë për vizitë disa ditore në Republikën e Kosovës dhe do të vizitojnë njësitë e FSK-së.
Komandanti i FSK-së, në pritjen që i bëri delegacionit nga Ajova theksoi se “Partneriteti mbi një dekadë që FSK e ka me GKA ka krijuar lidhje të fuqishme në mes dy ushtrive dhe ky bashkëpunim është duke u forcuar çdo ditë”. Delegacioni nga Ajova është udhëhequr nga zëvendëskomandanti i Gardës së Ajovës, Gjeneral brigade McClintock dhe Shefja e Shtabit e Gardës Kombëtare Ajrore të Ajovës, Gjeneral brigade Samenus.
Në frymën e miqësisë dhe bashkëpunimit, Komandanti i FSK-së, shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes z. Ejup Maqedonci, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, shefi i stafit të Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Ilir Qeriqi, oficerë nga FSK dhe Ajova, biseduan për mbështetjen e pakursyer nga SHBA dhe në veçanti Ajova që po japin për FSK-së, në ngritjen e kapaciteteve operacionale dhe planet për të ardhmen.
Delegacioni i lartë ushtarak i Gardës së Ajovës, gjithashtu vizituan Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, ku u diskutua partneriteti strategjik mes dy forcave, objektivat dhe planet e bashkëpunimit për të ardhmen. Në ditët në vijim delegacioni do të vazhdojë vizitat edhe në Komandat e FSK-së, për të parë nga afër mundësitë e mbështetjes dhe bashkëpunimit për të ardhmen.