Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka shpalosur planin e partisë për reformën në arsim, duke synuar zbatimin e modelit të mësimit tërëditor në të gjitha shkollat e vendit.
Në një video-mesazh drejtuar qytetarëve, Hoxhaj, ish-ministër i Arsimit, theksoi se ky model do të ofrojë një arsim më cilësor, mjedise më të sigurta dhe më të shëndetshme për nxënësit, si dhe zhvillim të gjithanshëm përmes aktiviteteve jashtëshkollore.
Standard i ri në arsim
Sipas tij, mësimi tërëditor do të përfshijë laboratorë, biblioteka, zona kreative, sport dhe art, duke krijuar kushte moderne për zhvillimin e fëmijëve. “Ky është standardi global i arsimit, dhe Kosova sot e ka mundësinë ta realizojë këtë,” u shpreh ai.
Nga pesë ndërrime në dy – transformimi i arsimit
Hoxhaj gjithashtu rikujtoi arritjet e tij gjatë mandatit si ministër i Arsimit, duke nënvizuar se kishte reduktuar sistemin e mësimit nga pesë ndërrime në vetëm dy në të gjitha shkollat e vendit. “Jam shumë krenar për këtë arritje. Sot, prioriteti ynë është mësimi tërëditor,” tha ai.
Arsimi, prioritet i PDK-së
PDK ka konfirmuar se arsimi mbetet një nga shtyllat kryesore të programit të saj qeverisës, duke e konsideruar mësimin tërëditor si një reformë kyçe për të ardhmen e sistemit arsimor në Kosovë.