Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kontribuar në tejkalimin e ngërçit parlamentar duke votuar pro raportit të Komisionit për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve, pas pranimit të kërkesës së saj për të evidentuar dorëheqjet individuale të Kryeministrit dhe ministrave në procesverbal.
Në një deklaratë të publikuar nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, thuhet se ky veprim është bërë në përputhje me frymën e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin e ish-kryetarit të Rahovecit, Qazim Çeska.
“Partia Demokratike e Kosovës dëshmoi edhe një herë rolin e saj shtetformues dhe përkushtimin ndaj funksionimit demokratik të institucioneve”, thekson Krasniqi.
Si rezultat, është zhbllokuar procesi për betimin e deputetëve të legjislaturës së nëntë, duke i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit dhe rivendosjes së normalitetit institucional. PDK uroi deputetët e rinj dhe theksoi rëndësinë e qëndrimit besnik ndaj detyrimeve kushtetuese dhe interesit qytetar.
PDK e njohu të drejtën kushtetuese të partisë së parë për të propozuar Kryetarin e Kuvendit, por theksoi se kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht përkrahjen për atë kandidaturë.
“Ora për themelimin e institucioneve të reja ka nisur. Përgjegjësia bie mbi koalicionin VV-Guxo-Alternativa, i cili duhet ta trajtojë këtë moment me seriozitetin që kërkon situata politike”, thuhet në deklaratë.
Në fund, PDK theksoi gatishmërinë për të marrë përgjegjësinë e formimit të një qeverie të re profesionale, me Bedri Hamzën si Kryeministër, nëse koalicioni aktual dështon të sigurojë shumicën parlamentare.
“PDK do të jetë faktor stabiliteti, garantuese e rendit kushtetues dhe zë i fuqishëm i interesit qytetar”, përfundon deklarata.