Piloti australian i McLaren, Oscar Piastri, ka arritur një fitore të rëndësishme në Çmimin e Madh të Kinës në Formula 1, i zhvilluar në qarkun e Shangait sot. Ky është triumfi i tretë në karrierën e tij dhe i pari për këtë sezon.
Në vendin e dytë u rendit një tjetër pilot i McLaren, britaniku Lando Norris, ndërsa vendi i tretë shkoi për britanikun George Russell nga Mercedes. Rezultati i garës së dytë të sezonit u bë i qartë pas tre kthesave të para, kur Piastri kaloi përpara Norrisit dhe Russelit dhe mori epërsinë që nuk e hoqi deri në fund të garës.
Pas tre të parëve, ndodhi një kontakt në fillim mes dysho të Ferrarit, Lewis Hamilton dhe Charles Leclerc, të cilëve iu kërkua nga ekipi që të ndërronin pozitat, një kërkesë që ata e realizuan në xhiron e 21-të. Leclerc u shkëput nga Hamilton, i cili gjatë gjysmës së garës filloi të ndiente presionin e Max Verstappenit nga Red Bull, i cili kaloi thuajse pa u vënë re gjatë garës.
Shtatë herë kampioni i botës, Hamilton, zgjodhi të bënte një ndalesë të dytë në gropa, duke u kthyer pas rivalit të tij Verstappen, por pa mundur ta kërcënonte atë për një pozicion më të lartë.
Piloti më i mirë pas liderëve ishte Esteban Ocon i Hasës, i cili arriti të përfundojë përpara Kimi Antonelli të Mercedes, ndërsa përfundimi i pikëve u plotësua nga Albon dhe Berman në makinën tjetër të Hasës.
Gara e ardhshme në kampionatin F1 do të zhvillohet më 6 prill për Çmimin e Madh të Japonisë.