A është arritur kulmi i inflacionit? Çmimet e prodhimit kanë rënë, por ende kërkohet durim. Si reflektohet kjo në çmimet e konsumatorëve?
Në tetor kanë rënë çmimet e prodhimeve për herë të parë në dy vjet e gjysmë. Zyra Federale e Statistikave njoftoi të hënën (20.11) se çmimet e prodhimit kanë rënë në tetor mesatarisht me 4.2 për qind krahasuar me muajin e kaluar. “Kjo ishte rënia e parë e çmimeve krahasuar me muajin e mëparshëm që nga maji 2020.” Në shtator kishte një rritje të prej 2.3 për qind.
Rënia është një surprizë e madhe. Ekonomistët e anketuar nga agjencia e lajmeve Reuters kanë pritur rritje të inflacionit prej 0.9 për qind, krahasur me muajin e kaluar. Krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, norma e inflacionit është 34.5 për qind më e lartë, por edhe këtu është shënuar rënie, pasi inflacioni në gusht dhe shtator ka qenë më i larti prej fillimit të matjeve në vitin 1949, me 45.8 për qind krahasuar me një vit më parë.
Këto zhvillime japin shpresë se inflacioni i lartë po arrin gradualisht kulmin e tij. Një rënie spektakolare e çmimeve pas gjithë atyre muajve të rritjes së konsiderueshme të çmimeve nuk pritet. Por ekonomisti i LBBW, Jens-Oliver Niklasch thotë, se “kjo është ndoshta shenja e parë e një lehtësimi ciklik të presioneve nga çmimet.” Kjo rënie është pasojë e uljes së kostove për konsumatorët me shumicë.
Çmimet e larta të energjisë nxisin inflacionin
Çmimet e prodhimit reflektohen edhe në çmimet e shitjes së prodhuesit. Përveç çmimeve të shitjes me shumicë dhe çmimeve për mallrat e importuara në Gjermani, ato tregojnë edhe bazën për çmimet e përgjithshme. Të gjitha ato ndikojnë në çmimet e konsumit, mbi të cilat Banka Qendrore Evropiane e mbështet politikën e saj monetare.
Prandaj, çmimet e prodhimit konsiderohen si pararendëse për zhvillimin e kostos së jetesës. Kur prodhuesit rrisin ose ulin çmimet e tyre, kjo zakonisht prek edhe familjet, të paktën pjesërisht. Në statistika, çmimet krijohen që nga dalja e mallit prej portave të fabrikës e deri tek shitja. Në tetor, çmimet e konsumit në Gjermani kanë qenë 10.4 për qind më të larta se një vit më parë, që është norma më e lartë e inflacionit që nga viti 1951.
Arsyeja kryesore për rritjen kaq të lartë të inflacionit në nivel prodhues është energjia, e cila ka kushtuar dukshëm më shumë që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë më 24 shkurt.
Çmimet e prodhimit në këtë sektor kanë qenë 85,6 për qind më të larta se në tetor 2021. Nafta e lehtë për ngrohje kushtoi 76,2 për qind më shumë se një vit më parë. Karburantet 30,8 për qind më shumë. Por krahasuar me shtatorin e këtij viti, çmimet e energjisë kanë rënë në sektorin e prodhimit mesatarisht me 10.4 për qind, “kryesisht për shkak të rënies së çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit natyror”, thonë statisticientët.
Ushqimi ka qenë 25.1 për qind më i shtrenjtë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Çmimet në veçanti janë rritur për gjalpin (+66,3 përqind), mishin e derrit (+47,0 përqind), djathin dhe kuarkun (+38,3 përqind) dhe qumështin (+36,1 përqind). Ndërsa kafeja ishte 29.1 për qind më e shtrenjtë se në tetor 2021.
Konsumatorët: Shumë herët për relaksim
“Shifra e sotme është kryesisht pasojë e rënies së çmimeve të energjisë për konsumatorët e mëdhenj. Për konsumatorët e vegjël, pra edhe për familjet private, çmimet e energjisë elektrike dhe gazit vazhduan të rriten edhe në tetor,” thekson Jens Oliver Niklasch. “Për konsumatorët privatë, kulmi i inflacionit nuk ka ardhur ende.”
Ralph Solveen nga Commerzbank mendon, se shifrat e fundit për uljen e inflaconit në sektorin e prodhimit japin shpresë se as kulmi i normave të inflacionit për çmimet e konsumit nuk është larg. Megjithatë, norma e inflacionit mund të rritet deri në fillim të vitit të ardhshëm, pasi çmimet më të larta të energjisë ndonjëherë arrijnë tek familjet me një vonesë të konsiderueshme. “Por çmimet që tashmë janë në rënie të ndjeshme në nivel prodhues, tregojnë se ky efekt duhet të mbarojë brenda disa muajsh, veçanërisht kur shihen ndërhyrjet e shtetit për frenimin e çmimit të gazit dhe të energjisë elektrike. Kjo do të ulë çmimet vitin e ardhshëm”, thotë Solveen.
Megjithatë, sipas tij, problemi i inflacionit është larg zgjidhjes përfundimtare. “Për shkak se me rritjen më të madhe të rrogave, kompanitë po përballen me një rritje të mëtejshme të kostove, të cilat të paktën pjesërisht do t’ua kalojnë prapë klientëve të tyre. Përveç kësaj, faktorë strukturorë si zhvillimi demografik dhe mungesa e punëtorëve, kostot e dekarbonizimit dhe problemet e globalizimit janë faktorë që mund të ndikojnë në rritjen e çmimeve në afat të mesëm.” /DW/