Mund të duhet deri në një javë që furnizimi me energji elektrike të rikthehet plotësisht në Portugali, pas një ndërprerjeje të madhe që ka prekur Spanjën, Portugalinë dhe jugun e Francës.
Ende nuk është e qartë se çfarë shkaktoi këtë ndërprerje masive të energjisë. Kompania shtetërore e energjisë elektrike në Portugali pretendon se ndërprerja u shkaktua nga një “fenomen i rrallë atmosferik”, duke paralajmëruar se mund të duhen shtatë ditë për rikthimin e plotë të funksionimit të rrjetit.
Sipas operatorit portugez REN, fenomeni i pazakontë ishte rezultat i “luhatjeve ekstreme të temperaturës në brendësi të Spanjës”, që shkaktuan luhatje anormale në linjat e tensionit të lartë.
Në anën tjetër, në Spanjë, kompanitë e mëdha të shpërndarjes së energjisë, Endesa dhe Iberdrola, janë ende duke hetuar shkaqet e incidentit. Autoritetet spanjolle thanë se ende nuk kanë përcaktuar shkakun e saktë të ndërprerjes.
Taco Engela, CEO i kompanisë Neara, që merret me rrjetet elektrike, deklaroi për Euronews se një ndërprerje e këtij niveli mund të jetë shkaktuar nga një defekt fizik në rrjet, një sulm i mundshëm kibernetik i koordinuar, ose një çekuilibër dramatik midis kërkesës dhe ofertës së energjisë.
Megjithatë, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, theksoi se aktualisht nuk ka indikacione që ndërprerja të ketë qenë rezultat i ndonjë sulmi kibernetik.
Autoritetet spanjolle vlerësojnë se situata në vendin e tyre mund të normalizohet brenda gjashtë deri në dhjetë orësh.