Presidenca e Republikës së Kosovës ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj propozimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke e cilësuar këtë iniciativë si të papranueshme. Sipas Presidencës, ky propozim është në kundërshtim me kornizën ligjore që obligon ZRRE-në të mbrojë konsumatorët dhe injoron situatën ekonomike të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve.
Në vazhdën e shqyrtimit të raporteve konsultative për përshtatjen e të Hyrave Maksimale të Lejuara të operatorëve energjetikë, Presidenca ka analizuar këtë çështje, ashtu siç bëri edhe në vitin 2023, kur u zhvillua shqyrtimi i jashtëzakonshëm. Pas analizës, Presidenca ka dorëzuar komentet e saj pranë ZRRE-së.
Komentet e plota të Presidencës janë publikuar në uebfaqen zyrtare të institucionit dhe mund të konsultohen përmes lidhjes në vijim.