Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics, ka apeluar për heqjen e masave kufizuese që Bashkimi Evropian vendosi ndaj Kosovës gati dy vjet më parë. Në një konferencë për media pas takimit me homologen e tij, presidenten Vjosa Osmani, në Prishtinë, Rinkevics theksoi se qëndrimi i Letonisë është që BE-ja duhet të heqë këto masa sa më shpejt të jetë e mundur.
Ai u shpreh se një heqje e menjëhershme e këtyre masave do të ishte më e favorshme për të dyja palët, duke shtuar se gjatë diskutimeve të zhvilluara me presidenten Osmani u fokusuan në forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe stabilitetin rajonal. Gjithashtu, ai nënvizoi rolin e Bashkimit Evropian në mbështetjen për zhvillimin e Kosovës.
Rinkevics po ashtu theksoi rëndësinë e avancimit të marrëdhënieve politike dhe ekonomike ndërmjet Letonisë dhe Kosovës, si dhe theksoi mbështetjen e tij për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke përfshirë Këshillin e Evropës. Megjithatë, ai bëri të qartë se nuk mund të premtojë që Kosovës do t’i jepet statusi i vendit kandidat për BE deri në fund të vitit, duke shtuar se një vendim i tillë kërkon unanimitet nga të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.