Presidenti kinez Xi Jinping ka refuzuar ftesën për të marrë pjesë në një samit të Bashkimit Evropian dhe Kinës, që do të shënonte 50 vjetorin e lidhjeve diplomatike ndërmjet të dyja palëve, sipas një raporti të Financial Times.
Pekini ka njoftuar zyrtarët e Bashkimit Evropian se Kryeministri kinez, Li Qiang, do të udhëheqë delegacionin dhe do të takohet me presidentët e Këshillit dhe Komisionit Evropian në vend të Xi Jinping. Ky informacion u bë i ditur nga dy burime të paidentifikuara, të cilat janë të njohura me zhvillimet në këtë çështje, njofton Financial Times.
Tradicionalisht, Kryeministri kinez merr pjesë në samitet që mbahen në Bruksel, ndërsa Presidenti Xi është pritës i këtyre takimeve në Pekin. Megjithatë, Bashkimi Evropian ka shprehur dëshirën që Xi të marrë pjesë në këtë samit për të shënuar gjysmë shekullin e marrëdhënieve ndërmjet Pekinit dhe Bashkimit Evropian.
Tensionet midis Brukselit dhe Pekinit janë rritur pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, me BE-në që akuzon Kinën për mbështetje ndaj Kremlinit. Për më tepër, vitin e kaluar, Bashkimi Evropian vendosi tarifa për importet e automjeteve elektrike kineze, një hap që ka përkeqësuar më tej marrëdhëniet mes dy palëve.
Një zyrtar i Bashkimit Evropian ka konfirmuar se “bisedimet jozyrtare” janë në zhvillim për përcaktimin e një date për samitin BE-Kinë dhe për nivelin e përfaqësimit. Nga ana e saj, Ministria e Jashtme kineze ka deklaruar se nuk mund të japë informacione më tej në lidhje me këtë çështje shkruan Reuters.