Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar drejt Turqisë me ftesë të Presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan për të marrë pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë, një ngjarje e rëndësishme ndërkombëtare që mbledh liderë dhe diplomatë nga mbarë bota.
Forumi i këtij viti zhvillohet nën temën qendrore “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”, duke adresuar sfidat globale në një kontekst të tensionuar gjeopolitik. Qëllimi i forumit është riafirmimi i rolit të diplomacisë si mjet stabiliteti dhe ndërtimi të paqes në një botë gjithnjë e më të polarizuar.
Presidentja Osmani do të marrë pjesë në një bashkëbisedim tematik, ku do të diskutojë mbi rolin e diplomacisë në zgjidhjen e konflikteve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Ajo gjithashtu do të zhvillojë takime bilaterale me homologë nga vende të ndryshme, në funksion të thellimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe promovimit të interesave të Republikës së Kosovës në skenën ndërkombëtare.
Forumi Diplomatik i Antalisë është një platformë prestigjioze që bashkon liderë shtetesh, diplomatë të lartë dhe ekspertë të politikës ndërkombëtare, për të diskutuar zhvillimet më të rëndësishme në fushën e sigurisë, politikës së jashtme dhe diplomacisë globale.