Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë adresimit të saj të përvitshëm para Kuvendit, përçoi një mesazh të qartë për unitet dhe përkushtim ndaj shtetit. Ajo theksoi rëndësinë e “patriotizmit kushtetues” si një formë bashkimi përtej dallimeve politike, duke e quajtur Kushtetutën një kontratë shoqërore që mishëron vlerat dhe aspiratat e popullit.
“Ky është patriotizmi që na bashkon, sepse besojmë në një të ardhme të ndërtuar mbi parime dhe sakrifica,” tha Osmani, duke nënvizuar se rrugëtimi i Kosovës drejt forcimit të shtetësisë është një proces i vazhdueshëm, që kërkon unitet dhe vizion të qartë strategjik.
Ajo kujtoi sakrificën e popullit të Kosovës dhe vizionin e udhëheqësve historikë si Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari. “Rrënjët e shtetit tonë janë aq të forta sa nuk ka forcë që mund t’i lëkundë,” deklaroi ajo, duke bërë thirrje për ruajtjen e aleancave ndërkombëtare dhe përqendrimin në sfidat strategjike si anëtarësimi në Këshillin e Evropës, BE dhe NATO.
Presidentja vuri në pah zhvillimet pozitive në politikën e jashtme, duke përmendur pjesëmarrjen e Kosovës në forume ndërkombëtare dhe ndërtimin e marrëdhënieve me partnerë globalë. “Kosova po dëshmon se rëndësia e një shteti përcaktohet nga vlerat dhe parimet që mbështet, jo nga madhësia e saj,” tha ajo.
Ndër prioritetet e saj mbeten fuqizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe mirëqenia e ushtarakëve, për të cilët kërkoi rritje të mbështetjes financiare. Ajo i bëri thirrje Kuvendit të miratojë ndryshime në buxhet për të përmbushur këto qëllime.
Duke përmbyllur fjalën, Presidentja theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve jashtë Kosovës, veçanërisht në Luginën e Preshevës dhe Maqedoninë e Veriut. “Ne mbetemi të përkushtuar për një të ardhme euroatlantike, aty ku është vendi ynë,” përfundoi ajo.