Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur nderimin e saj për viktimat e Masakrës së Mejës, një ngjarje e dhimbshme që ka lënë plagë të thella në historinë e Kosovës. Me rastin e përvjetorit të këtij tragjiteti, Osmani ka theksuar rëndësinë e kujtimit të kësaj ngjarjeje dhe angazhimin për të siguruar drejtësi dhe dinjitet për të gjitha viktimat.
Në një postim të saj, Presidentja Osmani shkruan:
“Sot, me zemër të rënduar, e kujtojmë Masakrën e Mejës, njërën nga plagët më të thella të Kosovës. 376 jetë të pafajshme u morën mizorisht nga regjimi gjenocidal i Serbisë, vetëm pse ishin shqiptarë. Plagët që la pas kjo tragjedi janë ende të hapura, por dhimbja dhe vendosmëria jonë, janë bashkuar për të mos lejuar që e vërteta të harrohet.”
Presidentja Osmani ka theksuar se çdo viktimë e Masakrës dhe çdo person që u zhduk dhunshëm gjatë luftës, çdo ëndërr e ndërprerë dhunshëm, mbetet një betim për drejtësi. Ajo ka shprehur angazhimin e saj për të mbajtur të gjallë kujtimin për martirët dhe ka apeluar për një të ardhme më të drejtë dhe më dinjitoze.
“Çdo person i vrarë e çdo person i zhdukur me dhunë gjatë luftës, çdo ëndërr e ndërprerë dhunshëm, është betim i yni për drejtësi. Në këtë tokë të shenjtë të dhimbjes, mbjellim shpresën për një të ardhme me më shumë drejtësi dhe më shumë dinjitet”, ka shtuar Osmani.
Ajo ka përfunduar mesazhin e saj duke nënvizuar se kujtimi për martirët e Mejës do të jetojë përjetë në zemrat e popullit të Kosovës: “Kujtimi për martirët e Mejës do të jetojë përjetë në zemrat tona. Lavdi jetës dhe sakrificës së tyre!”