Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe ambasadorin e Bashkimit Evropian për të diskutuar zhvillimet e fundit në vend, pas sulmit të fundit terrorist ndaj infrastrukturës jetike të Kosovës.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi cenimin serioz që i është bërë sigurisë kombëtare të Kosovës përmes këtyre sulmeve, duke vënë në dukje rëndësinë e mbrojtjes së infrastrukturës kritike. Ajo e vlerësoi lartë reagimin e institucioneve përgjegjëse për këtë situatë dhe theksoi menaxhimin e mirë të krizës nga ana e tyre.
Presidentja Osmani gjithashtu nënvizoi se sulmet si ky i fundit, që godasin infrastrukturën jetike, kanë për qëllim jo vetëm destabilizimin e Kosovës, por edhe paraqesin një kërcënim serioz për stabilitetin e gjithë rajonit.
Në këtë kuadër, ajo i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dënojë me forcë këtë sulm terrorist dhe të qëndrojë e bashkuar kundër çdo përpjekjeje për të minuar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Po ashtu, Presidentja Osmani theksoi se parandalimi i sulmeve të tilla në të ardhmen duhet të mbetet një prioritet kryesor për të gjithë aktorët e sigurisë.
Në vazhdim të ditës, Presidentja Osmani ka planifikuar edhe takime me institucionet e sigurisë në vend për të diskutuar masat e mëtejshme dhe për të forcuar bashkëpunimin në luftën kundër kërcënimeve terroriste.