Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim delegacionin e Asamblesë Rajonale të Evropës, pjesë e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, të udhëhequr nga senatorja belge, Anne Lambelin.
Gjatë këtij takimi, Presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave frankofone dhe shprehu aspiratën e Kosovës për t’u bërë anëtare me të drejta të plota në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë (ONF). Osmani theksoi se ky hap është thelbësor për forcimin e demokracisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të cilat janë vlera të përbashkëta për vendet frankofone.
Presidentja gjithashtu ndau me delegacionin e Asamblesë progresin e Kosovës në avancimin e agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke theksuar se vendi është shndërruar në një shembull pozitiv në nivel global. Ajo vuri në dukje se anëtarësimi i Kosovës në ONF do të mundësonte bashkëpunim të mëtejshëm në fusha të ndryshme, si zhvillimi i qëndrueshëm, promovimi i diversitetit kulturor dhe gjuhësor, arsimi dhe hulumtimet shkencore.
Përmes ngritjes së statusit në ONF, Kosova synon të përforcojë lidhjet me vendet frankofone, duke kontribuar në projekte që përfshijnë interesa të përbashkëta dhe vlera të përbashkëta të komunitetit ndërkombëtar frankofon.