Policia e Himarës ka proceduar penalisht administratorin e digës së hidrocentralit në Bunec, Vangjel Ngjelo, 68 vjeç, banues në Gjirokastër, pas çarjes së digës që ndodhi ditën e djeshme dhe që shkaktoi përmbytje të dhjetra bizneseve dhe bllokim të rrugës nacionale “Himarë-Sarandë”.
Ngjelo u procedua për veprën penale “Shkatërrimi i pronës” pasi çarja e digës ndikoi negativisht në zonën përreth, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Rruga kryesore që lidh Himarën me Sarandën u bllokua dhe disa banesa në fshatin Bunec u përmbytën si pasojë e ngjarjes.
Sipas njoftimit të Policisë së Himarës, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë dorëzuar materialet në Prokurorinë e Shkallës së Parë në Vlorë, për të vazhduar procedimin ndaj administratorit të hidrocentralit. “Rreth orës 12:30, në hidrocentralin ku Ngjelo është administrator, ka ndodhur çarja e digës, duke shkaktuar bllokimin e rrugës dhe përmbytjen e disa banesave,” thuhet në njoftimin e policisë.
Në këtë moment, materialet procedurale janë dërguar për hetime të mëtejshme në Prokurori, ku do të përcaktohen masat e nevojshme ligjore.