Raporti zbulon se BE-ja ka instaluar një sasi rekord prej 41.4 GW të energjisë diellore këtë vit, e mjaftueshme kjo për të furnizuar me energji elektrike 12.4 milionë shtëpi. Kjo është një rritje prej 47 për qind nga shifra 28.1 GW, e cila përbën panelet e instaluara në vitin 2021.
Në një vit, kapaciteti i bllokut për të gjeneruar energji nga ky burim i rinovueshëm është rritur me 25 për qind.
“Shifrat janë të qarta. Energjia diellore po ofron një rrugë shpëtimi në kushtet e krizave të energjisë dhe të klimës,” thotë Walburga Hemetsberger, CEO e SolarPower Europe.
“Asnjë burim tjetër energjie nuk po rritet kaq shpejt dhe me një besueshmëri kaq të madhe se ajo diellore.”
Dhe, rritja e prodhimit të energjisë elektrike nga panelet diellore nuk po tregon shenja ngadalësimi. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë thotë se BE-ja duhet të instalojë rreth 60 GW energji diellore në vitin 2023 për të kompensuar mungesat nga gazi rus.
Nëpërmjet mbështetjes së shpejtë dhe të targetuar, SolarPower Europe beson se Europa mund ta plotësojë këtë boshllëk.
Janë 10 vende në BE që tani po shtojnë prodhimin e energjisë diellore me të paktën 1 GW në vit.
Gjermania ka instaluar më shumë panele të energjisë diellore se çdo vend tjetër në bllok, duke shtuar pothuajse 8 GW në vitin 2022. Ky vend ka mbajtur vendin e parë në këtë drejtim që nga fillimi i viteve 2000, por pati një rritje tepër të madhe vitin e kaluar pasi çmimet e larta të energjisë e bënë këtë burim të rinovueshëm të energjisë një zgjidhje me kosto efektive.
Gjermania u pasua nga Spanja (7,5 GW) e cila pa një rritje prej 55 për qind në instalimin e paneleve diellore në vitin 2022. Kjo erdhi pjesërisht falë rritjes së instalimit të paneleve diellore në çatitë e ndërtesave dhe krizës së energjisë.
Polonia (4.9 GW), Holanda (4.0 GW) dhe Franca (2.7 GW) përbëjnë pjesën tjetër të pesë vendeve të para.
Portugalia u rendit menjëherë pas Francës, duke u futur kështu për herë të parë në 10 vendet me sasinë më të madhe të instalimeve diellore, për shkak të një rritjeje të pabesueshme prej 251 për qind në krahasim me vitin 2021.
Renditja mbyllet me Danimarkën, Greqinë dhe Suedinë./ Euronews