Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka shprehur qëndrimin kundër Projektligjit të Buxhetit të vitit 2023.
Sipas Ramosajt, përmes këtij projektligji, i cili është miratuar para një jave në Kuvend, qeveria po tenton të ua marrë komunave të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara.
“Në këtë paragraf është cenuar diçka që komunave u jepet me ligj dhe me Kushtetutë e që i japin qytetarët me taksat e tyre. Praktikisht ky është aspekti financiar që iu bëhet komunave dhe në aspektin tjetër, që çdo ligj që amandamentohet duhet të ketë një procedurë të saktë që kur të bëhet ky propozim të pyeten komunat që ti japin komentet e saja, kurse këtë rast është kontrabanduar ky nen në këtë projektligj”, tha Ramosaj.
Ramosaj, në rast se kërkesat e tyre nuk dëgjohen nga Qeveria, atëherë ata do t’i ndjekin hapat ligjore drejt adresimit në Gjykatës Kushtetuese.