Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka autorizuar Policinë e Kosovës për të kryer veprime hetimore në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Hetimet janë të lidhura me dyshimet për veprime të dyshimta të disa zyrtarëve të ministrisë, të cilat kanë të bëjnë me renovimin e një objekti që më parë ishte në shfrytëzim nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe që tani është nën menaxhimin e ministrisë.
Veprimet hetimore janë autorizuar në kuadër të nenit 83, paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, me qëllim të verifikimit të pretendimeve dhe dyshimeve që janë ngritur në opinionin publik. Prokuroria ka kërkuar mbledhjen dhe sigurimin e provave për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dyshohen për kryerjen e veprave penale, përfshirë “Keqpërdorim të pozitës zyrtare” sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik” sipas nenit 415 të KPRK-së, si dhe “Falsifikim të dokumenteve” sipas nenit 390 të KPRK-së.
Prokuroria dhe Policia e Kosovës janë angazhuar për hetimin e plotë të rastit dhe për mbledhjen e provave për të sqaruar të gjitha rrethanat e mundshme të përfshira në këtë çështje.