Një grup i qytetarëve kanë protestuar sot në Prishtinë, me kërkesën për votimin e Projektligjit për lejimin e tërheqjes së 30 për qind nga Trusti.
Qytetarë në këtë protestë u bënë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga radhët e pozitës dhe të opozitës që të votojnë Projektligjin pasi qytetarët janë në krizë për shkak të inflacionit.
“Koha është për të votuar Projektligjin sepse qytetarët janë në krizë të thellë”, u tha në protestë.
Nexhat Llumnica, nënkryetar i Sindikatës së re të KEK-ut tha se janë në protestë për të kërkuar votimin e Projektligjit që lejon tërheqjen e 30 për qindëshit nga Trusti.
Ai tha se e kanë bërë një sondazh në KEK dhe 99 për qind e punëtorëve janë pro tërheqjes së mjeteve dhe arsye është kriza ekonomike.
“Arsyeja është kriza e thellë ekonomike”, tha ai.
Bekim Haxhiu, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, i cili ishte i pranishëm në këtë protestë tha se më mirë është që të lejohet tërheqja e 30 përqindëshit sesa ato para të zhvlerësohen.
Ndryshe, ditë më parë eksperti i Bankës Botërore, Richard Record është shprehur kundër tërheqjes së mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti).
Record thotë se një veprim i tillë do ta rriste edhe më shumë inflacionin, që aktualisht është mbi 12 për qind.
“Masa e propozuar për të lejuar një rund të dytë të tërheqjeve të konsiderueshme nga Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës, do të ishte regresive, do ta rrezikonte qëndrueshmërinë afatgjate të sistemit të pensioneve dhe do ta nxiste edhe më tej inflacionin”, thotë Record, ekonomist kryesor i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.
Tash e sa muaj, kërkesë e opozitës në Kosovë është t’u mundësohet qytetarëve të tërheqin deri në 30 për qind të mjeteve nga Fondi, për të përballuar, siç thuhet, më lehtë inflacionin në rritje. /Telegrafi/