Në të njëjtën kohë me vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, qytetarët e Prishtinës pritet të mblidhen sot në sheshin “Skënderbeu” për të protestuar kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Protesta, e cila nis nga ora 12:00, organizohet nga grupi “Asnjë cent më shumë” dhe synon të shprehë pakënaqësinë e qytetarëve ndaj rritjes prej 16,1% të tarifave të energjisë. Kjo rritje po konsiderohet si e papërballueshme për shumicën e familjeve kosovare, veçanërisht ato nga grupet më të cenueshme sociale.
Protestuesit po kërkojnë anulimin e menjëhershëm të këtij vendimi, duke paralajmëruar se përkeqësimi i barrës financiare për qytetarët vjen në një kohë kur vendi po përballet me sfida serioze ekonomike.