Partia Socialdemokrate (PSD) ka bërë të ditur se kryetari i saj, Dardan Molliqaj, është arrestuar sot nga Njësia e Reagimit të Shpejtë e Policisë së Kosovës, teksa ishte në rrugë për një takim.
Në reagimin zyrtar të PSD-së, ky veprim është cilësuar si i pajustifikueshëm dhe “jashtë çdo racionaliteti”. Sipas partisë, Molliqaj nuk kishte marrë asnjë ftesë nga gjykata dhe ishte lehtësisht i qasshëm për organet e rendit për shkak të rutinës së tij të përditshme.
“Ky arrestim nuk mund të shihet ndryshe përveçse si presion politik dhe demonstrim force ndaj opozitës, duke shfrytëzuar njësi që janë krijuar për situata emergjente e jo për ndalimin e liderëve opozitarë,” thuhet në njoftim.
PSD ka ngritur dyshime se veprimet e fundit ndaj anëtarëve të saj janë të qëllimshme, duke shtuar se shumë nga rastet që trajtohen përfshijnë edhe ish-anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, por se fokusi duket të jetë kryesisht ndaj PSD-së.
Partia Socialdemokrate ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të kryetarit të saj, duke e konsideruar ndalimin e tij si akt politik dhe të papranueshëm.