Inspektorati për Trashëgimi Kulturore ka ndërhyrë sërish të martën për të ndaluar punimet në sheshin “Xhorxh Bush” në kryeqytet, duke theksuar se projekti ka tejkaluar autorizimet ligjore. Kjo ndërhyrje vjen në vazhdën e tensioneve mes nivelit lokal dhe atij qendror, lidhur me mënyrën e realizimit të projektit që kap vlerën prej 18.4 milionë eurosh.
Drejtori i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, Imer Hakaj, deklaroi se qytetarët kanë nisur t’i shkruajnë edhe privatisht për të shprehur shqetësimet e tyre. Ai theksoi se nuk ka pasur presion nga niveli qendror, por që shqetësimi kryesor mbetet tejkalimi i kompetencave në projektin e komunës.
“Jemi të detyruar ta ndalim projektin pasi, sipas hartave, janë tejkaluar autorizimet. Komuna është e obliguar të plotësojë dokumentacionin dhe të tërhiqet nga veprimet e mëtejshme, pasi çështja ka marrë dimension personal dhe joprofesional,” deklaroi Hakaj.
Në anën tjetër, nënkryetari i Prishtinës, Shkëmb Manaj, hodhi akuza ndaj Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve, duke e quajtur fajtor për situatën aktuale. Ai e cilësoi këtë institucion si të paefikas dhe të politizuar.
“Instituti nuk po e shqyrton projektin me profesionalizëm. Nuk jemi këtu për politikë, por për t’i shërbyer interesit të qytetarëve. Kërkojmë nga institucionet që të mos e pengojnë projektin me qëllime politike,” tha Manaj.
Komuna e Prishtinës rifilloi punimet në shesh një ditë më parë, pavarësisht ndalimeve të mëparshme nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, i cili kërkoi që të kompletohet dokumentacioni për pajisje me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM).
Edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, reagoi më herët duke e quajtur ndalimin të paligjshëm dhe të motivuar politikisht. Sipas tij, ndërhyrja e institucioneve që duhet të jenë të pavarura po pengon zhvillimin urban dhe kulturor të qytetit.
Ky projekt, që synon transformimin e sheshit “Xhorxh Bush”, ka hyrë në një fazë përplasjeje ndërinstitucionale, ku qëndrimet e kundërta mes palëve po rrezikojnë zbatimin e tij.