Komuna e Prishtinës rifilloi sot punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, pavarësisht ndalimit dy herë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, i cili kishte kërkuar nga Komuna plotësimin e dokumentacionit për pajisje me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), raporton Ekonomia Online.
Me rastin e rifillimit të punimeve, në shesh ishte i pranishëm edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Ai deklaroi se punimet po vazhdojnë, pasi sipas tij, ato janë brenda kornizave ligjore në çdo aspekt.
“Nëse Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore tenton t’i ndalë punimet, do të intervenojë Policia. E kemi Policinë dhe e çon Inspektoratin te shtëpia. Punimet do t’i vazhdojmë”, tha Rama.
Në vendin e ngjarjes u panë edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.
Pak ditë më parë, Rama kishte deklaruar se ndalimi i punimeve ishte i paligjshëm dhe se arsyetimet për këtë ndërhyrje ishin të pabazuara, duke akuzuar institucionet për përdorim politik të autoritetit të tyre.
Sipas tij, ky veprim përbën ndërhyrje të qëllimshme që cenon të drejtën e Prishtinës për zhvillim të qëndrueshëm urban dhe kulturor.
Projekti për rregullimin e sheshit “Xhorxh Bush” kap vlerën prej 18.4 milionë euro.