Partia Demokratike, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, njoftuan se nuk votuan për raportin e verifikimit të mandateve, meqë anëtarët e qeverisë nuk kanë dhënë dorëheqje dhe marrja e mandateve nga ana e tyre do të përbënte shkelje kushtetuese.
Por, nga partia në pushtet jo që nuk mendojnë njëjtë, por madje edhe patën sulme dhe akuza në drejtim të këtyre partive, pasi përtej të gjitha deklaratave, nuk arritën të marrin më shumë se 52 deputetë bashkë me Nismën e Fatmir Limajt.
Ishte vetë Albin Kurti ai i cili u lëshua në këto akuza, duke e quajtur veprimin e sotëm të deputetëve të tjerë si ‘sulm ndaj Republikës së Kosovës’.
“Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike. Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë”, shkroi Kurti në Facebook.