Në një takim të zhvilluar në Moskë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe kreu i Kishës Ortodokse Serbe, patriarku Porfirije, diskutuan për çështje të ndjeshme politike dhe fetare, përfshirë situatën në Serbi, protestat studentore dhe çështjen e Kosovës.
Vizita e Porfirijes në Rusi u bë me ftesë të Patriarkut të Moskës, Kirill. Në prani edhe të peshkopit Irinej Buloviq, biseda u zhvillua në një atmosferë të ngarkuar me tone kritike ndaj Perëndimit. Patriarku serb fajësoi “eminencat gri” dhe faktorët perëndimorë për protestat që kanë përfshirë Serbinë që nga nëntori i vitit të kaluar, duke i quajtur ato si pjesë e një “revolucioni me ngjyrë” të importuar.
Në mënyrë të pazakontë, në një moment të bisedës, Putin mbrojti Perëndimin, duke sinjalizuar se perceptimet për rolin e tij ndryshojnë mes Moskës dhe Beogradit, veçanërisht pas lëshimeve të bëra nga ish-presidenti amerikan Trump ndaj Rusisë në kontekstin e luftës në Ukrainë.
Porfirije theksoi marrëdhëniet e ngushta historike mes popullit serb dhe atij rus, si dhe rëndësinë e mbështetjes ruse për çështjet që prekin Serbinë, përfshirë Kosovën dhe Republikën Srpska. Ai citoi një bisedë me Patriarkun e Jeruzalemit, i cili e kishte përshkruar presidentin rus si një “atu” të Ortodoksisë.
“Populli serb e sheh popullin rus si një. Pa mbështetjen tuaj dhe të Kinës, nuk e di çfarë do të ndodhte me Kosovën”, tha Porfirije, duke shtuar se e konsideron Kosovën dhe Republikën Srpska si elemente kyçe për të ardhmen e popullit serb.
Ky takim ndodhi në një kohë kur Serbia përballet me tensione të brendshme dhe ndërkombëtare, ndërsa retorika e lidhjes mes kishës, shtetit dhe politikës po merr gjithnjë e më shumë hapësirë në debatet publike në rajon.