Presidenti rus Vladimir Putin ka bërë një kërkesë të veçantë për qytetarët ukrainas që ndodhen në territoret e pushtuara nga Rusia, duke i detyruar ata të marrin nënshtetësinë ruse ose të largohen. Sipas inteligjencës britanike, Putin ka nënshkruar një dekret të enjten, i cili detyron qytetarët ukrainas të “rregullojnë statusin e tyre” deri më 10 shtator të këtij viti, ose të largohen nga territori i pushtuar.
Kjo është raportuar nga Ministria Britanike e Mbrojtjes në një raport javor të shërbimeve të inteligjencës britanike për luftën në Ukrainë, të publikuar sot nga agjencia gjermane e lajmeve dpa.
Në raport theksohet se Kremlini vazhdon të zbatojë një politikë të “rusifikimit,” që është pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme për të zhdukur kulturën, identitetin dhe shtetësinë ukrainase në territoret e pushtuara ilegalisht në Ukrainë.
Rusia e konsideron Krimenë, një gadishull ukrainas që e aneksoi ilegalisht në vitin 2014, si territorin e saj, si dhe rajonet e Lugansk, Donetsk, Zaporizhia dhe Kherson, të cilat u aneksuan pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.