Presidenti rus, Vladimir Putin, ka njoftuar një armëpushim të përkohshëm në Ukrainë, që do të nisë më 8 maj dhe do të zgjasë tre ditë. Kremlini tha se vendimi u mor për “arsye humanitare”, raporton BBC.
Armëpushimi, që do të zgjasë deri më 11 maj, përkon me 80-vjetorin e fitores së Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste, një datë që përkujtohet më 9 maj në Rusi. Kremlini theksoi se pret që edhe pala ukrainase ta respektojë këtë armëpushim, duke paralajmëruar se çdo shkelje do të marrë përgjigje të përshtatshme nga forcat ruse.
Rusia, sipas Kremlinit, përsërit gatishmërinë për të filluar bisedime paqeje “pa parakushte”, për të adresuar shkaqet rrënjësore të konfliktit. Megjithatë, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka kërkuar që njohja ndërkombëtare e sovranitetit rus mbi Krimenë dhe katër rajonet e aneksuara ukrainase të jetë kusht për çdo negociatë me Kievin.
Në anën tjetër, Ukraina ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe gjithëpërfshirës për të paktën 30 ditë. Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sibiha, tha se “nëse Rusia me të vërtetë dëshiron paqe, ajo duhet t’i ndalë sulmet menjëherë, pa pritur deri më 8 maj”.
Nga ana e saj, administrata amerikane ka deklaruar se presidenti Donald Trump synon një armëpushim të përhershëm, jo të përkohshëm. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se presidenti Trump është gjithnjë e më i zhgënjyer me mungesën e përparimit në bisedimet për paqe.
Njoftimi i fundit për armëpushim vjen në një kohë kur SHBA-të e konsiderojnë këtë javë vendimtare për përpjekjet për të arritur një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës, duke kërcënuar se do të tërhiqen nga ndërmjetësimi nëse nuk vërehet progres i dukshëm.