Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka reaguar lidhur me realizimin e projekteve nga ana e Qeverisë Kurti, duke thënë se tashmë janë 500 euro më pak në ekonominë e vendit.
Hoti me anë të një shkrimi në Facebook ka theksuar se për periudhën nëntë mujore janë realizuar vetëm 21 për qind të investimeve kapitale, që është rreth 30 për qind më pak se viti paraprak.
“Sipas raportit të buxhetit për janar-shtator 2022, vetëm 21 për qind e investimeve kapitale janë realizuar 158 milionë euro nga 764 milionë euro të planifikuara. Kjo është 29 për qind më pak se më 2021 dhe 24 për qind më pak se më 2020. Kjo po na kushton shtrenjtë. Për shkak të mosrealizimit të shpenzimeve kapitale, sot ekonomisë i mungojnë rreth 200 milionë euro në qarkullim. Ka ministri, siç është Ministria e Industrisë me vetëm 5 për qind realizim të shpenzimeve kapitale apo Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Financave me 6 për qind, Ministria e Ekonomisë me 13 për qind dhe Ministria e Mbrojtjes me 15 për qind”, shkruan Hoti.
Sipas ish-kryeministrit, paratë e gatshme në llogarinë e Qeverisë kanë arritur në 678 milionë euro që janë dyfish më shumë sesa që është e nevojshme.
“Paratë e gatshme në llogarinë e Qeverisë kanë arritur në 678 milionë euro, dyfish më shumë sesa që është e nevojshëm. Rrjedhimisht, mund të ishte pezulluar akciza në naftë, si dhe përgjysmuar TVSH-ja në naftë dhe në mallra ushqimore, pa shkaktuar asnjë vështirësi buxhetore për Qeverinë”, shton ai.
Hoti tregon se nga mos futja e këtyre mjeteve në qarkullim, sot në ekonominë e Kosovës janë 500 milionë euro më pak.
“Sikur të mos mblidheshin këto mjete vetëm sa për t’i mbajtur në llogari, sot ekonomia do të kishte edhe 300 milionë euro në qarkullim. Këto mjetet tanimë janë zhvlerësuar nga inflacioni për rreth 20 për qind, që është rreth 136 milionë euro”, tregon Hoti.
“Këta as nuk i shpenzojnë mjetet e mbledhura për projekte, e as nuk ua lënë qytetarëve. Pasojat po i bartim të gjithë. Sot në ekonomi ka rreth 500 milionë euro më pak për shkak të paditurisë”, përfundon ai.
Këto pretendime të LDK-së i kishte vërtetuar edhe Instituti për Studime të Avancuara GAP, duke thënë se realizimi i investimeve kapitale për këtë periudhë është më i ulëti në dekadën e fundit.
GAP thekson se realizimi i investimeve kapitale si në nivel qendror po ashtu edhe në atë lokal ndodhet në këtë pikë për shkak të rritjes së çmimeve të materialeve ndërtimore si dhe politikave qeveritare.
“Investimet kapitale në nivelin qendror në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë 9 për qind, ndërsa në nivelin lokal janë 19 për qind. Shpenzimi i buxhetit për investime kapitale gjatë vitit 2021 kanë qenë 19 për qind në nivel qendror dhe 26 për qind në nivel lokal”, thekson GAP.
“Investimet kapitale kanë qenë solide edhe gjatë vitit 2020 kur pandemia COVID-19 kishte shpërthyer dhe rrjedhimisht vendi ishte në izolim total. Gjatë këtij viti shpenzimi i buxhetit për investimet kapitale kanë qenë 11 për qind për nivel qendror dhe 21 për qind për nivel lokal”, shton instituti. /Telegrafi/