Rreth 750 milionë në buxhetin 3 miliardësh për vitin 2023 do të shkojnë për paga dhe mëditje, sipas projektligjit për buxhetin miratuar nga Qeveria e Kosovës më 28 tetor të këtij viti.
Por deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se ky projektligj nuk e parasheh ligjin për paga.
“Kur Kosova po përballet me inflacion, Qeveria e Kosovës ka propozuar ”buxhetin më të madh në histori”, ku nuk përfshinë rritje të pensioneve. Nuk ka paraparë as kosto për zbatimin e Ligjit të pagave. Pra, nuk ka paraparë rritje pagash, nuk ka paraparë as indeksim të pensioneve dhe pagave për normën e inflacionit”, ka shkruar Bajrami në Facebook më 2 nëntor.
Ligji për pagat ka qenë një nga kërkesat e Sindikatës së Arsimit për Qeverinë në muajin shtator gjatë kohës sa po mbahej greva në arsim.
Qeveria e Kosovës kishte hapur diskutim publik, poqë nevojiten 8 muaj të hyjë në fuqi pasi të miratohet në Kuvendin e Kosovës.
Megjithatë, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), kanë shpresë që projektligji nuk do të votohet në Kuvendin e Kosovës pa u përfshirë edhe rritja e pagave.
“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës beson fort se komentet e përfaqësuesve të BSPK-së dhënë projektligjit për pagat do të shqyrtohen e të analizohen së shpejti dhe të bëhen pjesë e projektligjit i cili do t’i dërgohet për miratim Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Atdhe Hykolli kryetar i BSPK-së në një përgjigje për Gazetën Express.
Ai shton se “është mirë që përfundimisht të kemi në Ligj të pagave i cili vërtet rregullon sistemin e pagave në sektorin publik, ne kemi qenë dhe do të jemi për ligj të mirë dhe funksional”, ka thënë ai.
Opozita si e tërë i ka kërkuar vazhdimisht pushtetit që ta shtyjë përparimin Ligjin për Paga, si argument referues e marrin edhe inflacionin që sipas Bankës Botërore kalon mbi 19 për qind.
“Këto ndërmerren masa rreth pagave atëherë rritja e çmimeve mund të shkaktojë trazira”, i ka thënë Gazetës Express Nexhit Shala, themelues i Institutit KAF.
“Rritja e pagës reale është mjeti i duhur në kohën e duhur për të shmangur pasojat negative të inflacionit dhe për të siguruar një rimëkëmbje ekonomike të përshtatshme shoqërore”, ka thënë Shala. Inflacioni, rritja ekonomike dhe kostoja e jetesës janë tema kryesore. Inflacioni pritet të mbetet i lartë, Pagat reale, çuditërisht, do të vazhdojnë të bien dhe pritet të mos ecin me këtë rritje të çmimeve”.
Ai pos Ligjit për Paga që përfshin punëtorët e sektorit publik kërkon që të lëvizet edhe paga minimale që në Kosovë është 130 euro për punëtorët deri në moshën 35-vjeçare dhe 170 euro mbi këtë moshë.
“Kostoja e jetesës vazhdon të kafshojë disa nga të ardhurat më të ulëta në të gjithë popullsinë e vendit, çmimet e ushqimeve dhe energjisë vazhdojnë të mbeten rreziqe shumë të mëdha. Një rritje e inflacionit godet shumë më seriozisht punëtorët me paga të ulëta sesa punonjësit me paga më të larta. Prandaj, një rritje e pagave minimale është e rëndësishme për të mbrojtur fuqinë blerëse të pagave të ulëta, e cila gjithashtu ka një efekt pozitiv të kërkesës për ekonominë në tërësi”, ka thënë Shala.
Të njëjtën linjë e beson edhe profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Musa Limani.
Në një përgjigje për Express, ai ka thënë se gjendja e rëndë sociale ka përfshirë pjesën dërmuese të shoqërisë – rritjen e pagave e cilëson zgjidhje.
“Nëse nuk aprovohet ligji i pagave, në kushtet e inflacionit, me nivel të lartë të çmimeve, e me nivel të ulët të pagave, do të keqësohet gjendja sociale e pjesës dërmuese të popullatës, do të rriten problemet sociale e varfëria, në një anë, e do të bie në mënyrë drastike standardi jetësor i popullsisë, në anën tjetër”, ka thënë ai.
Çfarë thotë Fondi Monetar Ndërkombëtar?
Udhëheqësi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtarë (FMN), Gabriel Di Bella, e ka vizituar Kosovën më 5 nëntor ku e ka zhvilluar një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin.
Bella ka përshkruar situatën ekonomike duke përmendur edhe Ligjin për Paga.
Ka bërë disa vërejtje edhe për Ligjin e Pagave, duke kërkuar që të mos ketë arbitraritet të pagave.
“Ajo që presim nga Ligji i Pagave është që duhet të rritet paanshmëria e sistemit të drejtësisë, do të ulen shtesat. Eliminim i arbitraritetit të pagave”.
Rreth situatës ekonomike, përfaqësuesi i FMN-së e ka përmendur edhe elementin e luftës në Ukrainë që e ka pasuar luhatjen e rritjes ekonomike.
“Nuk është befasi që lufta në Ukrainë ka krijuar një situatë të vështirë për Evropën dhe Kosova nuk bën përjashtim nga kjo dhe si pasojë e luftës janë rritur çmimet, prandaj ka edhe Kosova inflacion. Qeveria ka marrë disa vendime që kanë pasur synim zbutjen e kësaj tronditjeje”, ka thënë ai.
“Ajo që presim nga Ligji i Pagave është që duhet të rritet paanshmëria e sistemit të drejtësisë, do të ulen shtesat. Eliminim i arbitraritetit të pagave”.
Qysh janë pagat në Kosovë?
Paga mesatare neto në Kosovë sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) është 432 euro, një rritje vetëm 16 euro krahasuar me vitin 2020.
Çmimet e lëndës së parë dhe të konsumit janë rritur në 12.7% për muajin shtator si rrjedhojë e inflacionit të lartë, sipas ASK-së.
Paga mesatare neto në sektorin publik për vitin 2021 ishte 542 euro, në ndërmarrjet publike 680 euro dhe sektori privat qëndron më keq, 376 euro paga neto.
Situata ekonomike në vend
Banka Botërore ka parashikuar një ngadalësim të rritjes ekonomike për 3.1 për qind për këtë vit.
Pos kësaj gjatë këtij viti ka pasur rritje të çmimeve, sidomos atyre esenciale.
Qeveria e Kosovës e ka projektuar buxhetin mbi 3 miliardë e 211 milionë euro për vitin 2023, duke parashikuar rritje ekonomike mbi 5 për qind.
Por nga opozita thonë se buxheti dhe rritja ekonomike që Qeveria e proklamon është nominale dhe përjashton faktorët ndikues si inflacioni.
Qeveria është përgjigjur në fillim të shtatorit me një pako të disejnuar anti-inflacion dhe thonë se është duke i ndihmuar qytetarët, përfshirë edhe shtesat për punëtorët e sektorit publik dhe pensionistët.
Megjithatë për punëtorët e sektorit privat, Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, ka thënë se pagat duhet të iu rriten nga bizneset.
“Bizneset kanë përformancë të mirë të hyrash dhe kanë kapacitete për rritje pagash”, ka thënë Murati gjatë një konference për media më 4 nëntor.
Për gjendjen ekonomike, pushteti dhe opozita kanë perspektiva të ndryshme. Ekzekutivi thotë se janë rrethana të shkaktuara nga pandemia COVID-19 dhe lufta në Ukrainë, ndërkaq opozita e cila i pranon këto rrethana shton se gjendja është e ndihmuar edhe nga keqqeverisja e Albin Kurtit.